Tiranë, 28 Shkurt NOA - Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka zhvillon një takim me kryetarin e Dhomës së Serbisë Milosh Bulgarin, takim i cili erdhi në kuadrin e Mbledhjes së Shoqatës të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Mesdheut që u zhvillua në Beograd këto ditë.
Jaka tha se takimi u përqendrua në dy aspekte: zhvillimin e marrëdhënieve shumëpalëshe ndërmjet dhomave dhe përpjekjet që duhet të bëjnë dhomat për forcimin e organizmave ndërkombëtare në rrafshin rajonal dhe europian ku ata aderojnë.
Serbia ishte organizatore e aktivitetit dhe pjesëmarrësit shprehën dëshirën dhe kënaqësinë për tu takuar në Shqipëri në një nga aktivitetet e ardhshme.
Lidhur me marrëdhëniet ndër institucionale të dy kryetarët shprehën kënaqësinë për marrëdhënie konstante ndërmjet dy dhomave të tregtisë, përpjekjet që kanë bërë për ti forcuar shkëmbimet tregtare ndërmjet dy vendeve tona, njohjen sa më të mirë të tregut për komunitetin e biznesit.
Forumi i biznesit që u realizua në Beograd vitin e kaluar dha rezultatet e veta, megjithatë të dy palët u shprehen që niveli i shkëmbimeve tregtare akoma është i ulët. Këto nivele nuk u përgjigjen as potencialeve të tregut dhe as dëshirës së secilës palë.
Të dy kryetarët e dhomave u angazhuan për një përgatitje serioze për zhvillimin e një forumi biznesi në Tiranë në gjysmën e dytë të këtij viti. Ata u shprehën për një pjesëmarrje të gjithanshme të shoqatave profesionale në këtë aktivitet.
***
Jaka mori pjesë në Mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Mesdheut, ASCAME, që u zhvillua në Beograd në datat 24-25 shkurt 2010.
Presidenti i ASCAME, Murat Yalcintash i cili është dhe President i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Stambollit, i uroi z. Jaka zgjedhjen në postin e ri dhe pjesëmarrje aktive në këtë organizëm ekonomik ndërkombëtar për pellgun e Mesdheut.
Mbledhja mori në shqyrtim një sërë çështjesh që lidhen me bashkëpunimin ekonomik e tregtar të komuniteteve të biznesit të rajonit, çështjet që lidhen me fushën e turizmit, investimeve, energjisë, logjistikës, transportit, arbitrazhit, etj.
Në mbledhje foli dhe Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë. Ai bëri një paraqitje të gjendjes ekonomike në Shqipëri përballë krizës ekonomike e financiare që ka përfshirë këtë rajon, fakt që u theksua dhe nga pjesëmarrësit.
Jaka kërkoi funksionimin sa më shpejt të një rrjeti informacioni ndërmjet të gjithë dhomave, ku krahas të dhënave të fundit, çdo institucion pjesëmarrës duhet të informojë për sektorët që janë përfshirë nga kjo situatë në vendin e tij, masat që po merren, bashkëpunimin e qeverisë me përfaqësuesit e biznesit për kapërcimin e tyre etj,.
Këto mesazhe Jaka kërkoi t'u transmetohen dhomave homologe të rajonit, që të shërbejnë si eksperienca për vendet e tjera dhe të bëjnë Dhomat e Tregtisë aktore të rëndësishme në kapërcimin e kësaj situate globale.
Mbledhja mori disa vendime të rëndësishme që dolën nga komisionet përkatëse si dhe aprovoi programet dhe projektet për vitin 2010.
U aprovua programi i detajuar i bashkëpunimit të ASCAME me Komisionin Evropian për vitin në vijim, si dhe u vendos që në muajin prill në emër të ASCAME-s një përfaqësi e saj të udhëtoje për në SHBA me qëllim vendosjen e marrëdhënieve institucionale me qeverinë e SHBA, me administratën e Presidentit Obama dhe me Dhomën Amerikane të Tregtisë. Kryetari i Dhomës së Tiranës u caktua si pjesë e këtij delegacioni.
Gjithashtu Dhoma e Tregtisë Tiranë do të jetë pjesë e disa projekteve rajonale në fushën institucionale, të turizmit, etj.
Në këtë aktivitet të rëndësishëm të ASCAME morën pjesë kryetarë dhe përfaqësues dhomash nga Turqia, Kroacia, Serbia, Italia, Spanja, Siria, Libani, Greqia, etj.
Çfarë është ASCAME?
ASCAME është Shoqata e Dhomave te Tregtise dhe Industrise te MESDHEUT, e themeluar me 1 tetor 1982. Asambleja eshte mbajtur ne Barcelone nga DHTI Barcelone. Ascame eshte nje organizate me nje anetaresi potenciale prej 200 dhomash tregtie dhe shoqata se bashku nga 23 vende qe lagin detin Mesdhe. Krahas brigjeve te mesdheut, ajo perfshin oqeanin Atlantik dhe Detin e Zi ku jane inkorporuar 200 dhoma tregtie nga pozicioni i madh gjeografik.
Qellimi i Ascame eshte tregti per paqe. Tregti per mirekuptim reciprok, tregti per bashkepunim ndermjet civilizimeve.
ASCAME u krijua per bashkepunim te metejshem ekonomik ndermjet vendeve te mesdheut duke treguar nje vizion strategjik te bashkepunimit dhe integrimit Veri-Jug. Ky vizion u konfirmua nga vendosja e partneritetit Euro-Mesdhe ne 1995 dhe eshte i vlefshem sot nga Unioni i Mesdheut.
e.r/NOA