English

Edi Rama: Prisni surpriza më 14 Mars

Tiranë, 28 Shkurt NOA - Më 14 mars, do të ketë surpriza të këndshme të cilat do të befasojnë shumë dashamirës të muzikës, sepse ajo ditë që njihet si Dita e Verës në Tiranë do të kremtohet me plot aktivitete.

Këtë premtim e ka bërë sot, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ndërsa mori pjesë në një aktivitet me rastin e 200 vjetorit të lindjes së kompozitorit të famshëm Frederik Shopen.

Ndër të tjera Kryebashkiaku Rama u shpreh për të pranishmit shumë i kënaqur dhe krenar "që kremtojmë bashkë me të tjera kryeqytete të Europës 200 - vjetorin e Frederic Chopin, Vitin e Chopin, si viti i muzikës".

Njëkohësisht Rama shfrytëzoi rastin "t'u them të gjithë atyre që janë më të prirur nga rroku se nga klasikja, që ta presin me padurimin e merituar këtë 14 mars".

Këtu z.Rama paralajmëroi se "do të kemi një shpërthim të muzikës rrok brenda dhe rreth e rotull Bllokut, ku do të vijnë grupe rroku nga Europa dhe të gjithë të rejat e të rinjtë e kryeqytetit janë të ftuar të vijnë, me të reja e të rinj nga jashtë kryeqytetit, për të festuar deri në orët e vogla të mëngjesit".

Dy shekuj me Shopen

Romancieri, pianisti dhe kompozitori me famë botërore Frederic Chopin (1810-1849) shënon këtë vit 200 vjetorin e lindjes.

Skena ndërkombëtare e muzikës, këtë vit e ka shpallur Viti Chopin, vitin e fenomenit unik në historinë e muzikës piano, vlerat e paçmueshme dhe të bukura të të cilit dëgjohen me kënaqësi në të gjithë botën.

Edhe kryeqyteti shqiptar i është bashkuar kremtimeve për Vitin 2010, të shpallur si Viti Chopin, me një sërë aktivitetesh të planifikuara nga Bashkia e Tiranës.

Kështu, organizimet me rastin e 200-vjetorit të lindjes së kompozitorit të njohur polak nisën në sheshin para Gardës së Republikës me homazhet e rastit, për të vijuar më tej me Bandën e Qytetit e cila luajti pjesë të kompozuara nga Chopin, ndërkohë që aktiviteti kulmoi me pjesëmarrjen e shumë të ftuarve në këtë event, ku spikati prania e Kryetarit të Bashkisë, Edi Rama, Ambasadores Polake, Ambasadores Franceze, përfaqësuesve të Shoqatës "F. Chopin", të Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Poloni, nxënësve muzikantë por edhe mjaft të ftuarve të tjerë.

Veprimtaritë u shoqëruan me një koncert në natyrë, ku artistë të rinj të talentuar, por dhe emra të njohur të skenës shqiptare luajtën pjesë të kompozitorit të njohur, si më poshtë:

· F. Chopin - Polonaise - ouvre posthume sol

· F. Chopin- Mazurca-re

· F. Chopin -Valcs-op.posthum-mil

· F. Chopin - Polonaise-re

· F. Chopin - Studio Revolution

· F. Chopin - Grande Polonaise

Gjatë koncertit u zhvillua edhe ceremonia e homazheve dhe vendosjes së luleve tek busti i Chopin-it.

Organizimet e Bashkisë së Tiranës vijuan me vendosjen e emrit "Frederic Chopin", sheshit para Gardës së Republikës.

Përfaqësues të pushtetit vendor dhe të Ambasadave të sipërpërmendura zbuluan pllakën e mermertë, në nderim të këtij emri të shquar të muzikës botërore .

Në përfundim të ceremonisë, Banda e Qytetit luajti himnet kombëtare të Shqipërisë, Polonisë dhe Francës, ndërkohë që përfundimi i aktivitetit u shoqërua me një koktej në lokalin brenda Akademisë së Arteve.

e.r/NOA

KOMENTE