English

Emigrantët në Greqi: Më 1 Mars, asnjë euro shpenzim

Mësohet se 1 Marsi do të zbatohet si dita e lëvizjes "24 orë pa ne" edhe në shtete të tjera evropiane si Itali, Francë, Spanjë, Gjermani dhe Belgjikë, shtete ku jetojnë dhe punojnë prej vitesh disa qindra mijë emigrantë shqiptarë mes miliona të huajve që kanë lënë vendet e tyre, kryesisht për shkaqe ekonomiko-sociale

Athinë, 28 Shkurt NOA - Emigrantët shqiptarë dhe të kombësive të tjera që jetojnë në Greqi kanë vendosur t'i bashkohen nismës që nesër më 1 Mars të mos shpenzojnë as edhe një euro për 24 orë me radhë, në kuadër të nismës së emigrantëve "24 orë pa ne".

"Nuk harxhojmë as edhe një euro të vetme për 24 orë rresht. Asnjë blerje më 1 Mars". Është slogani i lëvizjes paqësore "24 orë pa ne", që fton të gjithë emigrantët dhe refugjatët në Greqi që të shmangin çdo lloja transaksioni financiar në ditën ë parë të muajit të ri, si një shenjë proteste për mesazhet e ksenofobisë dhe racizmit ndaj emigrantëve që jetojnë dhe punojnë në Greqi.

Në një faqe të hapur posaçërisht në Facebook, ku gjenden gjashtë mijë anëtarë, shumë prej tyre shqiptarë, përmes internetit, thirrja është lëshuar që të zbatohet nesër më 1 mars për të lëshuar një mesazh edhe për autoritetet greke, shkruan e përditshmja "Ta Nea".

Niko Ago, gazetar i njohur shqiptar në Greqi, është dhe iniciator i nismës që gjeti përhapje të gjerë në Facebook.

"Bëhet fjalë për një lëvizje e cila pikënisjet i ka në vitin 2006 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur mijëra vetë dolën nëpër rrugë, nxënësit e studentët nuk shkuan nëpër shkolla dhe universitete dhe punëtorët nëpër qendrat e tyre të punës. Kështu, SHBA u ftua të përjetojë qoftë dhe një ditë të vetme veten pa latino-amerikanët", - thotë Ago i cituar nga "Ta Nea", gazeta më e madhe në Greqi.

Por ndërkohë, mësohet se 1 Marsi do të zbatohet si dita e lëvizjes "24 orë pa ne" edhe në shtete të tjera evropiane si Itali, Francë, Spanjë, Gjermani dhe Belgjikë, shtete ku jetojnë dhe punojnë prej vitesh disa qindra mijë emigrantë shqiptarë mes miliona të huajve që kanë lënë vendet e tyre, kryesisht për shkaqe ekonomiko-sociale.

"Këtu në Greqi, ne nuk presim të ndodhë ajo që ndodhi në Amerikë dhe as vetë ne, nuk i ftojmë emigrantët që të bëjnë greva duke braktisur shkollat dhe punën", - pohon Niko Ago. Këtë nuk e bëjmë sepse jemi të qartë se është një detgyrë e sindikatave që ta realizojnë, për më tepër, kush mund t'u thotë më pas emigrantëve se si mund ta rifitojnë ditën e humbur të punës", - thotë Niko Ago.

Por ai shton se në bashkëpunim me sindikatat po punohet që të organizohet një nismë ndërevropiane për të drejtat e emigrantëve.

Kurse më tej, gazetari shqiptar në Greqi, krahason: "Qëllimi i lëvizjes është i qartë, të tregojë se çdo të bënin gjyshet, nëse gratë e shtëpive nuk do të kujdeseshin një ditë për to duke mos qëndruar në shtëpi. Ose çfarë do të bënte EVGA (kompani e njohur greke e produkteve dhe nënprodukteve të qumështit, shënim i NOA), nëse emigrantët nuk do të shkelnin në dyqane për të blerë produktet e tyre".

n.s/e.r/NOA

KOMENTE