Prishtinë, 28 Shkurt NOA - Një grabitje me armë ka ndodhur në minutat e para të ditës së sotme në Dardani, tek Posta kryesore, Prishtinë, bëjnë të ditur për agjencinë NOA burime zyrtare policore.
Ngjarja ndodhi në orën 00:35 kur dy persona të armatosur, nën kërcënimin e armës i kanë zënë pritë një burri shqiptar, në momentin që ai ishte duke zbritur shkallëve tek Posta nr 10.
Sipas denoncimit, dy personat e armatosur, i kanë grabitur viktimës së tyre kuletën nga xhepi ku gjendeshin 260 euro dhe kanë ikur me një veturë në drejtim të panjohur.
Policia e Kosovës sqaroi se viktima nuk ka pësuar lëndime trupore.
Sakaq, gjatë zhvillimit të hetimeve Policia e Kosovës konfirmoi se ka identifikuar dy të rinj shqiptarë, si të dyshuar për rastin e grabitjes nën kërcënimin e armës.
Policia ka arrestuar njërin të dyshuar të cilit i është kontrolluar shtëpia në rrugën "Vëllezërit Fazliu" në Prishtinë, me ç'rast janë gjetur dhe konfiskuar dy revole: njëra revole e tipit Geco dinamit nobël 9 mm me një karikator dhe tjetra revole e tipit Ekol kalibri 9 mm me shurdhuese.
a.b/NOA