Tiranë, 28 Shkurt NOA - 100 deri në 200 mijë lekë të reja është shuma e gjobës që Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP), u ka vendosur 9 zyrtarëve, për konflikt interesi mes funksionit publik dhe interesave të tyre private.
Lajmi bëhet i ditur nga ILDKP-ja e cila jep dhe emrat përkatës të zyrtarëve mes të cilëve ka punonjës të administratës tatimore e doganore, si dhe punonjës të institucioneve qendrore dhe të pushtetit lokal.
"Zyrtarët, punonjës të administratës tatimore e doganore, por edhe të institucioneve qendrore e njësive vendore, janë gjobitur me vlera nga 100.000 deri në 200.000 lekë, për shkak të shkeljes së kërkesave të ligjit nr.9367, dt.7.4.2005 "Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike"", thuhet në njoftimin zyrtar të ILDK-së.
Sipas inspektoratit, pas gjobitjes nga Inspektorati i Lartë, 7 prej zyrtarëve kanë reaguar pozitivisht, duke marrë masat për zgjidhjen e konfliktit të interesave.
Dy zyrtarë, Anastas Leka me funksion Këshilltar në institucionin e Avokatit të Popullit dhe Arben Karafili, doganier në degën e Doganës Kakavijë, ende nuk kanë marrë masat për zgjidhjen e situatës së konfliktit mes funksionit publik dhe interesave private.
"Subjekti Anastas Leka ka qenë administrator i një shoqërie me përgjegjësi të kufizuar, veprimtari private që i ndalohet shprehimisht në nenit 38 të ligjit nr.9367, datë 7.4.2005. Pavarësisht konstatimit nga ana e ILDKP, në kundërshtim me ligjin, subjekti nuk ka kryer veprimet për shmangien e konfliktit të vazhdueshëm të interesit, por ka kaluar nga "administrator" në "person fizik", gjë e cila bie në kundërshtim me nenin 31 të ligjit", thuhet në njoftimin e ILDKP-së.
Ndërsa doganieri, Arben Karafili është në kushtet e konfliktit të interesave pasi, sipas nenit 32 dhe 38 të ligjit nr.9367, dt. 07.04.2005, funksioni i tij si doganier bie ndesh me interesat private të një prej personave të lidhur të tij. "Ky "person i lidhur" zotëron në mënyrë aktive pjesë në kapitalin e një shoqërie që ka si objekt të aktivitetit të saj tregtim i mallrave të ndryshme industriale, ushqimore... në vend dhe import eksport, si edhe transport mallrash për vete dhe të tretë brenda e jashtë vendit, aktivite që përfshihet në sferën e veprimtarisë së subjektit. Deri në ditën e sotme, Inspektoratit të Lartë nuk i rezulton të jenë kryer veprimet e duhura nga zyrtari për shmangien e konfliktit të vazhdueshëm të interesit", thuhet në deklaratën zyrtare të IKLDP-së.
m.xh/NOA