English

Përmbytjet, ministria jep të dhënat e fundit

Shkodër, 28 shkurt, NOA - Situata e krijuar në qarkun e Shkodrës nga përmbytjet, sipas ministrisë Brendshme, gjatë ditës së sotme nuk paraqitet e rënduar. Në bilancin e ministrisë rezulton se janë përmbytur 5850 hektarë tokë, 308 familje të shpërngulura, 74 shtëpi të përmbytura dhe 805 shtëpi të rrethuara nga uji.

Sipas ministrisë të gjitha zonat e prekura nga përmbytja furnizohen rregullisht me energji elektrike.

"Strukturat e Forcave të Armatosura në bashkëpunim me Bordin e Kullimit Shkodër vijojnë punën për përforcimin e argjinaturave pranë zonave të prekura apo të rrezikuara nga përmbytja, duke vendosur thasë me rërë apo inerte të ndryshme. Ky proces është përqendruar në mënyrë të veçantë në Shirq dhe Daragjat të Komunës Dajç dhe në Ças të Komunës Velipojë", thuhet në njoftimin e ministrisë së Brendshme.

Gjithashtu, strukturat e Forcave të Armatosura po kryejnë edhe shpërndarjen e ndihmave ushqimore si dhe të koncetrateve për bagëtinë në Obot dhe Gorricë të Komunës Ana e Malit, e po kështu në komunat Dajç, Velipojë, Guri i Zi, Rrethinat dhe Bushat.

Sipas ministrisë së Brendshme këto struktura janë në gatishmëri për çdo rast të nevojshëm për kryerjen e evakuimit dhe transportimit të banorëve apo të bagëtive.

Ndërsa rrugët e bllokuara si pasojë e përmbytjeve janë aksi i rrugës së Obotit në Komunën Ana e Malit dhe aksi rrugor Bërdicë-Velipojë tek Ura e Gjo Lulit. Qarkullimi realizohet nga Benti.

Ndërkohë janë të kalueshme vetëm për mjetet e larta, akset rrugore nga kthesa e Dajçit tek ura e Shirqit, aksi rrugor për në Pentar, Dajç, dhe për në Gorricë të Komunën Ana e Malit.

m/xh/NOA

KOMENTE