Njohës të proceseve të integrimeve evropiane dhe analistë për çështje politike në Prishtinë thonë se Bashkimi Evropian duhet të rrisë presionin ndaj Beogradit zyrtar në lidhje me qasjen ndaj Kosovës. Ndonëse hidhet poshtë mundësia që në të ardhmen e afërt njohja e shtetësisë së Kosovës t'i vihet si kusht Serbisë për integrim në BE, ata theksojnë nevojën për themelimin e bashkëpunimit rajonal mes dy vendeve
Prishtinë, 28 Shkurt - Bashkimi Evropian nuk është i interesuar që me anëtarësimin e shteteve të reja në këtë mekanizëm të importohen probleme politike, thonë njohësit e procesit të integrimeve evropianë në Kosovë duke folur për rrugën e Serbisë dhe të Kosovës në Bashkimin Evropian. Eksperti Shenoll Muharremi thotë se Serbia do të duhet ta zgjidhë problemin me Kosovën para se të figurojë në listën e shteteve potenciale për të hyrë në BE. Megjithatë, ai hedh poshtë mundësinë që në këtë fazë hyrja në BE e Serbisë të kushtëzohet me njohjen e Kosovës. "Serbia duhet ta zgjidhë çështjen me Kosovën para se të hyjë në BE. Nëse ajo do të pyetet në faza më të vonshme ta njohë Kosovën apo jo, është një çështje tjetër. Sido që të jetë, është edhe një perspektivë tjetër që në procesin e stabilizim-asociimit, u kërkohet shteteve që të kenë bashkëpunim rajonal". "Andaj, unë pres që, shumë shpejt, vendet anëtare dhe Komisioni Evropian të bëjnë më shumë presion te Serbia që të bëhet më konstruktive sa i përket Kosovës", shprehet Muharremi duke folur për radion Evropa e Lirë. Ditë më parë, ministri i Jashtëm i Francës, i cili në javën e ardhshme pritet të vizitojë Kosovën, Bernard Kushner, tha se njohja e Kosovës nga Serbia nuk është kusht për integrimin e Beogradit në BE. Mirëpo, ai theksoi rëndësinë e zgjidhjes së problemeve të Serbisë me të gjitha shtetet fqinje të saj. Analisti politik, Driton Lajçi, thotë se megjithëqë Bashkimi Evropian nuk mund të flasë njëzëri në lidhje me Kosovën, për shkak të mosnjohjes nga pesë vende anëtare, deklaratat e zyrtarëve të BE-së përfshijnë dhe nevojën për përmirësimin e raporteve Beograd - Prishtinë. "Ata janë duke e bërë atë presion, sidomos që të heqin dorë prej obstruksioneve në tryeza, konferenca regjionale e ndërkombëtare - aty ku po merr pjesë Kosova". "Ky, mendoj, është ai bashkëpunimi praktik që po kërkohet në mes të Serbisë dhe Kosovës. Nuk po kërkohet që Serbia ta njohë Kosovën, mirëpo që të heqë dorë nga këto obstruksione", thotë Lajçi. Ndërkaq, Muharremi thekson se Kosova duhet të shpejtojë në përmbushjen e kushteve për integrim në Bashkimin Evropian. Ai thotë se problemet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë drejt rrugës në Bashkimin Evropian dallojnë nga ato që kanë vendet e tjera fqinje, si Maqedonia apo Kroacia, të cilat kanë probleme të hapura me vende që tashmë janë anëtare të BE-së. Andaj, thotë ai, Kosovës do t'i shkaktoheshin telashe të mëdha në rast se Serbia hyn në BE para Kosovës. "Fundamentale në gjithë këtë proces është që Serbia të mos futet para Kosovës, për shkak se, absolutisht, ka mundësi që të mos e lejojë Kosovën të futet në BE", vlerëson Muharremi.