Teheran, 28 Shkurt NOA - Ekzekutim me varje i është bërë sot në mëngjes tetë personave në Iran, pasi ishin shpallur fajtorë nga gjykata, për vrasje si dhe për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike, një krim ky që në Perëndim dënohet vetëm vite burgimi. Me tetë varjet e sotme, shkon në 25 numri i ekzekutimeve për këto dy muaj në Iran.
Agjencia shtetërore e lajmeve të Iranit, ka konfirmuar lajmin duke iu referuar autoriteteve në Teheran të cilat deklaruan se 8 persona janë varur me akuzën e vrasjes dhe të trafikimit të lëndëve narkotike.
Ekzekutimet nuk u bënë publike por në mjediset e brendshme të burgjeve ku gjendeshin të dënuarit.
Bëhet e ditur se pesë nga personat që u varën, ishin dënuar për trafik droge dhe ata u ekzekutuan në një burg në qytetin jugor të Kermanit.
Kurse tre personat e tjerë, gjendeshin fajtorë për vrasjen e oficerëve të policisë, ngjarje e ndodhur para pak kohësh në Iran. Varja e të treve u krye në një burg në pjesën lindore të qytetit Birxhand.
e.r/NOA