English

Vrasja e 57-vjeçarit, kapet i dyshuari

Gjilan, 28 Shkurt NOA - Arrestohet i dyshuari për vrasjen në Pogragjë të Gjilanit, nga hetimi del se motivet e krimit të rëndë ishin ngatërresat dhe problemet familjare që dy familjet i kanë pasur mes tyre kohëve të fundit, informon korrespondenti i agjencisë NOA.

Burime zyrtare nga Policia e Kosovës, thanë se i dyshuari në pranga është Qazim B., 48 vjeçar, banor i fshatit Pogragjë i cili ishte larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur, menjëhërë sapo i mori jetën 58-vjeçarit Suljeman Musliu dhe la të plagosur djalin e tij rreth 20 vjeçar, Alban Musliun i cili po kurohet në spitalin e Prishtinës pas plagës së marrë në stomak.

Hetuesit e Drejtorisë Rajonale të Gjilanit pas grumbullimit të informatave dhe një pune të mirë hetimore, kanë arritur që të zbulojnë vendndodhjen e të dyshuarit për vrasjen e të premtes të raportuar në Gjilan.

Policia tha sot se rreth orës 15:00, hetuesit kanë arritur të arrestojnë të dyshuarin Qazim B., në fshatin Bilinicë të Gjilanit dhe gjatë kontrollit, atij i është gjetur edhe revolja me të cilën dyshohet se ka kryer veprën penale të vrasjes.

Lloji i armës e cila është gjetur tek i dyshuari është Zastava 9mm prodhim jugosllav si dhe dy fishek të kalibrit të njëjtë.

Nga hetimet është zbardhur se vrasja mes burrash erdhi pas sherresh mes fëmijëve të tyre. Dy familjet jetojnë në të njëjtin fshat dhe vetëm një mur i ndan shtëpitë e tyre.

Vrasja, ndodhi vetëm disa metra larg banesave të tyre në fshatin Pogragjë të Gjilanit, të premten në orët e pasdites.

a.b/NOA

KOMENTE