Më shumë foto, te Galeria
Ja emrat e të dyshuarve, njëri prej tyre, djali i Luan Currit, vrarë para pak kohësh në masakrën me 3 viktima në lokalin te lagjja nr 9 në Durrës
Durrës, 28 Shkurt NOA Foto Update - Viktima i vrasjes që ndodhi sot në Durrës ishte vetëm 16 vjeç e po të njëjtën moshë ka një prej të dyshuarve të krimit, i cili është ndaluar para pak minutash nga policia vendore.
Lajmi bëhet i ditur për agjencinë NOA nga burime familjare. Ata thanë se Klejdi Myzyri, banues në lagjen Nr.18 Durrës, ndërroi jetë në moshën 16 vjeç, pak minuta pasi u qëllua me armë zjarri në mes të qytetit bregdetar, pikërisht pasi kishte dalë nga një party me shoqërinë e tij.
Ndërkohë policia konfirmoi ndalimin e një bashkëmoshatari të viktimës, I. Curri, 16 vjeç, banues në Durrës si dhe të 18-vjeçarit Radi Buçpapaj nga i njëjti vendbanim.
Burimet policore i thanë korrespondentit të agjencisë NOA në Durrës, se 16-vjeçari Curri, është djali i Luan Currit, personit të vrarë pak kohë më parë në një lokal në Durrës bashkë me dy të tjerë.
Në ngjarjen që ndodhi sot në orën 15.00 në lagjen nr 1 të qytetit bregdetar, afër një lokali që ndodhet pranë universitetit të Durrësit, veç Klejdi Myzyrit që mbeti i vrarë, është plagosur rëndë dhe E.Ç., rreth 18 vjeç, banor i lagjes Nr.18 Durrës.
Klejdi Myzyri së bashku me shokun e tij, ishin duke dalë nga lokali kur u bënë objekt i atentatit.
Në rrethana ende të paqarta plotësisht, krejt papritur dy djemtë u përballën me morinë e plumbave të një pistolete që autorët e pamaskuar mbanin.
Menjëherë më pas, agresori vrapoi duke përfituar nga lëvizja e dendur e atyre momenteve të shumë qytetarëve nga Durrësi, Tirana dhe gjetkë që kishin ardhur për të drekuar në lokalet përreth.
Policia tha zyrtarisht për agjencinë NOA se "të gjitha shërbimet e sektorëve të drejtorisë rajonale janë angazhuar e po punojnë me intensitet në drejtim të identifikimit e kapjes së autorit dhe sqarimit të rrethanave të ngjarjes".
Nga hetimet e para rezulton se vrasja e sotme ka ardhur nga një sherr i nisur në mjediset e brendshme të pub-it ku gjendeshin në party adoleshentët.
Policia tha se nuk e lidh vrasjen e sotme me masakrën e ndodhur më 28 janar ku mbetën të vdekur tre vetë, kurse konfirmoi për agjencinë NOA, faktin se autori i dyshuar i krimit të sotëm është djali i Luan Currit, një prej viktimave të një muaji më parë.
e.r/NOA