English

Bashkia: Rrugët që rikonstruktohen

Tiranë, 1 mars, NOA - Rehabilitimi i sheshit "Skënderbej" është një nga projektet më ambicioze dhe të rëndësishme të Bashkisë së Tiranës. Në kuadrin e tij, me qëllim përballimin e flukseve të trafikut dhe lehtësimin e lëvizjes në një periudhë tranzitore, deri në përfundimin e rrjeteve rrugore kryesore si pjesa verilindore e "Unazës së Vogël", apo dhe pjesa jug-perëndimore e Unazës së Madhe, Bashkia e Tiranës ka filluar procesin e rikonstrusionit të rrugëve "Abdi Toptani", "Bardhok Biba" "Urani Pano" dhe rruga pas Pallatit të Kulturës.

Rrugët e sipërpërmendura janë parashikuar për përballimin e flukseve tranzit të trafikut, duke mundësuar kështu lehtësimin e punës për rivitalizimin e qendrës së qytetit dhe pakësimin e ndotjes së ambientit dhe zhurmave.

"Rikonstruksioni i këtyre rrugëve do të krijojë një frymëmarrje për transportin kryeqytetas, në kuadër të fillimit të zbatimit të projektit të sheshit "Skënderbej", bëjnë me dijeni burimet zyrtare të Bashkisë së Tiranës.

Modeli i ri urban i qytetit të Tiranës, ndërtuar mbi bazën e strategjisë së Transportit përfshin kthimin e sheshit "Skënderbej" në një shesh për këmbësorë, biçikleta dhe pa mjete private. Pika kryesore në këtë projekt është përcaktimi dhe zhvillimi i një identiteti të ri për sheshin "Skënderbej", duke rezervuar të gjithë hapësirën për nevojat e këmbësorëve.

Ky koncept urban, duke u ballafaquar me funksionin urban (si për shembull transportin publik), i cili në këtë moment po pëson një zhvillim demografik, social dhe ekonomik sjell gjithashtu edhe rritjen e qarkullimit të këmbësorëve dhe të automjeteve në rrugët përreth sheshit.

Masat e ndërmarra, së bashku me ndërhyrjet në transportin publik do lehtësojnë situatën e trafikut, por nuk janë zgjidhja e tyre, zgjidhje e cila kërkon domosdoshmërisht ndërtimin e rrugëve kryesore unazore të sipërpërmëndura.

n.e/NOA

KOMENTE