Tiranë, 1 mars, NOA - Nga ekonomia shqiptare dhe trendi i saj, mbërrijnë lajme mjaft pozitive siç është ai i rritjes në nivelin prej 27 % i eksportit të mallrave të përpunuara (fasonet). Një fakt të tillë e ka bërë me dije gjatë mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, kryeministri Berisha, sipas të cilit ky është një tregues që vendi jo vetëm që nuk po përjeton krizë ekonomike, por ai po shënon një rritje të konsiderueshme.
"Nga 6.4 ton që kanë qenë niveli i eksporteve në vitin 2009, ato arrijnë në 15 ton në shkurt të vitit 2010. E vlerësuar me lekë, bëhet fjalë për rritjen nga 5.2 miliardë lekë, në 6.7 miliardë lekë", tha Berisha lidhur me një fakt të tillë.
Sipas tij, ky sektor ka shënuar një rritje prej 27 %, dhe është më i rëndësishmi për punësimin e qytetarëve shqiptarë.
Prandaj u ka bërë thirrje atyre që pohojnë se vendi është në krizë, "të heqin syzet" dhe të shohin me realitet situatën, e cila sipas tij është e mrekullueshme.
n.e/NOA