Nga Rajmonda Lajthia
Tiranë, 1 mars, NOA - Pas ankesave të shumta të qytetarëve lidhur me faturimin e energjisë elektrike për muajin dhjetor me tarifat e reja, Enti Rregullator i Energjisë i është drejtuar kompanisë private OSSH, duke i kërkuar të kompensojë konsumatorët.
Nëpërmjet një shkrese zyrtare, Enti ka sqaruar se çmimet e reja të energjisë duhet të aplikohen nga 1 janari i 2010-ës e jo përpara këtij afati dhe se aplikimi që në muajin dhjetor është një shkelje e kompanisë private.
Sipas drejtores për mbrojtjen e konsumatorit pranë ERE-s, Entela Çipa, ankesat e qytetarëve kanë qenë të shumta.
"Nisur nga kjo situatë, - thotë Çipa, - i është kërkuar kompanisë që të respektojë vendimin e bordit të komisionerëve, i cili ka vendosur që tarifat e reja të zbatohen në afatin e përcaktuar, pra 1 janar 2010. Njëkohësisht, i është kërkuar kompanisë që të bëjë llogaritë, për t'i kthyer lekët familjeve, në muajt në vazhdim".
Faturat e energjisë elektrike për muajin dhjetor-janar 2010 kanë ardhur në shifra të larta, për shkak të llogaritjes së konsumit me çmimet e rritura.
Kjo situatë i ka detyruar qytetarët, por edhe përfaqësues të politikës të denoncojnë publikisht këtë fakt.
Por shpresat që qytetarët të përfitojnë kompensim nga kjo shkelje është e vogël, pasi sistemi i faturimit teknikisht nuk mund ta realizojë këtë llogaritje.
Nga ana tjetër, qeveria ende nuk ka bërë efektiv fondin për të kompensuar familjet në nevojë nga rritja e çmimit të energjisë.
r.l/n.e/NOA