Tiranë, 1 mars, NOA / Milena Selimi - Është festuar sot paradite në ambientet e Akademisë së Shkencave përvjetori i 65-të i poetit Xhevahir Spahiu. Morën pjesë studiues të letrave shqipe, akademikë dhe dashamirës të poetit, të cilët folën për kontributin e Spahiut në letrat shqipe. Aktiviteti në nder të poetit u organizua nga Akademia e Shkencave dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ndërsa aktorët Bujar Asqeriu dhe Sokol Angjeli recituan poezi të poetit.
Është hera e parë që Spahiu merr pjesë në një festë të madhe që organizohet për nder të tij, kur nuk ka kaluar një vit nga gjendja e vështirë shëndetësore që provoi në mars 2009. Ai pësoi ishemi cerebrale dhe falë mbështetjes së autoriteteve shtetërore, u bë e mundur mjekimi i Spahiut në Turqi.
Xhevahir Spahiu lindi në Malind të Skraparit në 1 mars 1945. Mësimet e para i mori në Vlorë, ndërsa studimet e larta i kreu në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin Histori-Filologji, dega e Gjuhë-Letërsisë shqipe. Prej vitit 1968 punoi si gazetar në gazetën "Zëri i Popullit" më pas në revistën "Nëntori", mësues letërsie e libretist në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë.
Ka qenë sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, ndërsa prej shkurtit te vitit 1998 -2000, Kryetar i Lidhjes.
Ndër veprat e tij të botuara përmenden: "Mëngjes sirenash" (1970); "Vdekje perëndive" (1977); "Agime shqiptare" (1981); "Nesër jam aty" (1987), i vlerësuar me çmimin "Migjeni"; "Heshtje s'ka" (1989), fitues i çmimit të parë në konkursin e 45-vjetorit të Çlirimit të Atdheut; "Ferreparajsa" (1996) etj.
m.s/n.e/NOA