"Kolegji i gjyqtarëve me këtë vendim njollosi në vazhdim figurën e gjyqësorit, duke shënuar një tjetër vendim në shkelje të ligjit"
Tiranë, 1 Mars NOA - Gjykata e Lartë vendosi mosfillimin e procedimit penal ndaj ministrit aktual të Mjedisit Fatmir Mediu për akuzën e plagosjes së rëndë, bazuar në nenin 291 të Kodit të Procedurës Penale. Me cilësinë e avokatëve të të plagosurve të shpërthimit të Gërdecit, përfaqësuesit e Lëvizjes "Mjaft" sonte përcollën qëndrimin e tyre duke vënë në dukje se "kolegji i gjyqtarëve me këtë vendim njollosi në vazhdim figurën e gjyqësorit, duke shënuar një tjetër vendim në shkelje të ligjit".
Së pari, neni ku u mbështet gjykata flet për një nga atributet e prokurorit, i cili kur ekziston ndonjë nga shkaqet e rreshtuara në nenin 290 të K.Pr.P. vendos mosfillimin e procedimit penal, - thuhet në qëndrimin zyrtar.
Sipas Mjaft që përfaqëson familjarët e "Gërdecit", akuzën në një proces të tillë duhej ta përfaqësonte realisht i dëmtuari akuzues e jo gjykata. Kjo e fundit duhej të rrinte në pozicionin e arbitrit dhe të vlerësonte provat e paraqitura.
Reagimi vlerëson se mosfillimi i procedimit penal është një veprim, i cili ndërmerret gjatë hetimeve paraprake, përpara se cështja të shkojë në gjykatë. Në të vërtetë kjo çështje ishte në gjykatë, dhe ajo urdhëroi seancën e pajtimit, bashkoi procedimet, etj, veprime procedurale këto që tregojnë fillimin real të procedimit.
Më poshtë lexoni argumentet e tjera që pretendon Mjaft:
"Gjykata mori në shqyrtim provat dhe këtë e bëri pa marrë më parë autorizimin e procedimit nga Kuvendi, pra pa i hequr imunitetin deputetit F.Mediu,
Së treti, një tjetër shkelje që u shënua ishte fakti se gjykata nuk i dha mundësinë dy dëshmitarëve që të dëshmonin, duke i mbyllur gojën atyre "me ligj".
Së katërti, nuk ekzistonin as shkaqet për të marrë një vendim të tillë. Neni 290 I K.Pr.P. përcakton rastet se kur nuk duhet filluar procedimi penal. Le t'i trajtojmë me rradhë:
1. Kur personi ka vdekur
Shtetasi F.Mediu është gjallë dhe gëzon shëndet të plotë
2. Kur personi është i papërgjegjshëm ose nuk ka mbushur moshën për përgjegjësi penale
Shtetasi F.Mediu është madhor dhe nuk vuan nga ndonjë sëmundje mendore
3. Mungon ankimi i të dëmtuarit ose ai e tërheq
Të dëmtuarit kanë kërkuar shprehimisht në gjykatë që nuk pajtohen dhe duan të vazhdojnë gjykimin, megjithë kërkesën e F.Mediut për falje
4. Kur fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale ose kur del qartë që fakti nuk ekziston
Fakti i plagosjes së rëndë nga pakujdesia është parashikuar nga ligji si vepër penale dhe konkretisht nga neni 91 i Kodit Penal. Fakti gjithashtu ekziston sepse shtetasit R.Durdaj dhe A.Hazizaj janë plagosur rëndë siç faktohet me anën e raporteve mjekësore që gjenden në dosje. Përvec raporteve, të plagosurit kanë shenja të qarta të djegieve të cilat janë permamente.
5. Vepra penale është shuar
Vepra penale e plagosjes së rëndë nga pakujdesia që të shuhet duhet të kalojë një afat prej 3 vjetësh dhe kjo vepër shuhet në datën 15.03.2011.
6. Është dhënë amnisti
Nuk ka asnjë amnisti nga Kuvendi për krimet e kësaj kategorie dhe për ato që ndodhën në Gërdec më 15.03.2008.
Pra siç shihet nuk ka asnjë bazë dhe kështu lind natyrshëm dyshimi që gjyqësori e mbrojti sërish në mënyrë të paligjshme imunitetin e F.Mediut, duke na dhënë të qartë se cili është niveli i gjyqësorit dhe sistemi aktual i drejtësisë.
Nga ana e familjarëve të viktimave të Gërdecit nuk do të rreshtin veprimet ligjore edhe në këto momente kritike dhe së shpejti do të bëjmë me dije për veprimet e mëtejshme.
Av. Dorian Matlija
Av. Andi Kananaj
Tiranë, më 01.03.2010"
e.r/NOA