English

Gërdeci, seanca degjeneron me akuza

Tiranë, 1 mars, NOA - Procesi gjyqësor i tragjedisë së Gërdecit, është shoqëruar në seancën e tij të sotme me debate të ashpra mes avokatëve të ministrit Fatmir Mediu dhe familjarëve të të dëmtuarve prej saj.

Nga ana e tyre, avokatët Ardian Visha dhe Petrit Serjani kundërshtuan dosjen me 69 prova, të paraqitur nga dy të dëmtuar rëndë nga tragjedia e Gërdecit, e cila e fajëson Mediun si përgjegjës për ngjarjen e rëndë të Gërdecit.

Padia ka qenë mjaft voluminoze dhe është dorëzuar tashmë në Kolegjin Penal të Gjykatës së Lartë prej të dëmtuarve.

Por sipas avokatit të Mediut, Adrian Visha, kjo është tërësisht një çështje politike, e cila kërkon, sipas tij, të kompromentojë me çdo kusht klientin e tij.

Por një deklaratë e tillë ka shkaktuar reagimin e menjëhershëm të familjarëve të viktimave të Gërdecit, të cilët ishin të pranishëm në procesin gjyqësor, duke deklaruar se Mediu në fakt, ka shkatërruar jetët e fëmijëve të tyre dhe nuk mund të flasë ai për drejtësi.

Dy personat që i kanë ngritur padi ministrit Mediu mësohet se janë i mituri Roxhers Durda dhe Alketa Azizaj, që të dy të plagosur nga tragjedia e Gërdecit, të cilët nuk e kanë falur atë në seancat paraardhëse të pajtimit, kur ai u ka kërkuar falje dhe kërkojnë që ai të ndëshkohet nga drejtësia.

n.e/NOA

KOMENTE