Tiranë, 1 mars, NOA - Gjykata e Lartë nuk do të kërkojë heqjen e imunitetit të deputetit dhe njëkohësisht, ministrit të Mjedisit, Fatmir Mediu.
Një vendim i tillë është konkluduar prej trupës gjykuese që mori në shqyrtim padinë e paraqitur kundër tij nga dy të dëmtuar prej tragjedisë së Gërdecit të cilët kanë kërkuar ndëshkimin e tij.
"Nuk do të kërkojmë heqje imuniteti", ka qenë vendimi final i Gjykatës së Lartë, duke e pushuar në këtë mënyrë përfundimisht çështjen e hapur ndaj ministrit Mediu.
Kjo është hera e dytë që ky institucion rrëzon çështjet e hapura ndaj tij, duke mos lejuar në këtë mënyrë ndjekjen e tyre në rrugë institucionale si i pandehur nëse do të ishte një qytetar i thjeshtë pa imunitet.
Këtë radhë, dy personat të cilët i kishin ngritur padi ministrit Mediu ishin i mituri Roxhers Durda dhe Alketa Azizaj, që të dy të plagosur nga tragjedia e Gërdecit, të cilët nuk e kanë falur atë në seancat paraardhëse të pajtimit, kur ai u ka kërkuar falje dhe kërkojnë që ai të ndëshkohet nga drejtësia.
n.e/NOA