Bruksel, 1 mars, NOA - Integrimi evropian përbën një përparësi për politikën e jashtme të Ukrainës nën presidencën e re të Viktor Janukoviçit. Një fakt të tillë, ky i fundit e ka deklaruar gjatë takimeve që ka zhvilluar me zyrtarë të lartë evropianë, në vizitën e parë zyrtare që ka ndërmarrë në Bruksel që nga marrja e detyrës së presidentit. Janukoviç tha madje edhe se vendi i tij do të garantojë kalimin e sigurt tranzit të gazit rus drejt tregut evropian gjatë konferencës për shtyp me kreun e Komisionit Evropian, Barroso.
Bisedimet ndërkaq janë fokusuar në sigurinë dhe qëndrueshmërinë e furnizimeve me energji ruse, që kalojnë përmes territorit të Ukrainës, si dhe për heqjen e vizave për qytetarët e Ukrainës për në vendet e Bashkimin Evropian.
Ndërkaq, parashikohet që vizitën e dytë jashtë vendit, Janukoviç ta kryejë në Moskë, ku parashikohet që aty të takohet edhe me krerët më të lartë të Rusisë.
n.e/NOA