English

"Kallashnikov", forca e pushtetit

Tiranë, 1 mars, NOA / Nga Milena Selimi - Një derë e hapur për aktorët e rinj të skenës. Prej dy vjetësh, edhe pse Teatri i Metropolit është i sapokrijuar, ka treguar se mundet të mbledhë energjinë më të re të skenës shqiptare. Këtë të enjte do të jenë studentët e AAB-së në Tiranë, të cilët do të prezantojnë për publikun e kryeqytetit pjesën "Kallashnikov" nga Georgey Gabor, me regji nga Florian Agalliut. Duke bërë një paralelizëm me realitetin shqiptar, mund të thuhet se për vetë subjektin dhe mesazhin që përcjell, pjesa është aktuale dhe e tillë që të bën të mendosh e ta shijosh në mënyrë që të prek direkt, dashje pa dashje.

Secili prej nesh mund të gjejë veten në mjedisin ku lëvizin katër personazhet.

Një pushtet që përpiqet të mbahet me çfarëdolloj forme, lëshohet e rimerret. Madje ka moment ku pushtetin nuk e ka askush. E ndërtuar thelbësisht mbi bazën e simbolit, shfaqja luan me elemente që janë sa të prekshëm e konkretë, aq edhe metaforike në atë që duan të përcjellin. Edhe pse të izoluar ata janë në një luftë të përhershme mes tyre për pushtetin.

Një gangster, një malësor, një profesor dhe një gay.

Të gjithë luftojnë për pushtet në një dhomë të vogël nga ku nuk mund të dalin. Gjenden në një bodrum të mbyllur, të robëruar nga kallashnikovi që "shëtit" sa në dorën e njërit tek tjetri dhe për asnjë çast nuk mund të hapin derën e atij bodrumi, pavarësisht se çelësi gjendet mbi kokat e tyre. Duan të dalin, të marrin ajër, të shohin përtej derës së mbyllur që vazhdon të qëndrojë ashtu, më parë duhet të arrijnë çelësin dhe të heqin dorë nga kallashnikovi, objekti që u fal pushtetin, sepse kallashi është forcë e dhunshme dhe forca e dhunshme pjesë e pushtetit të sigurt. Por ai nuk mund të hapë derën, vetëm çelësi mund ta bejë këtë, vetëm ai mund t'u japë lirinë dhe t'i drejtojë ata drejt botës.

Ata të gjithë e duan atë, grinden për të, derisa kallash-pushteti u bie nga duart…

Sytë drejtohen nga çelësi, provojnë ta marrin, tentojnë të hapin derën.

Asgjë nuk ndodh, ajo nuk hapet.

m.s/n.e/NOA

KOMENTE