English

Kontrolli, penalizohen disa firma inertesh

Tiranë, 1 mars, NOA - Mjaft firma të cilat ushtrojnë aktivitetin e shfrytëzimit të inerteve në lumin Erzen, Mat dhe Tërkuzë, janë ndëshkuar nga autoritetet përkatëse, të cilat kanë ndër,arrë një kontroll rreth tyre. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të ministrisë së Mjedisit për agjencinë e Lajmeve NOA, sipas të cilave, këto firma janë kontrolluar për zbatimin e vendimit të Këshillit Kombëtar të Ujit "Për reduktimin e shfrytëzimit të rërave dhe zhavorreve në shtretërit e lumenjve".

"Në lumin Erzen, subjektet që ushtrojnë aktivitetin e shfrytëzimit të inerteve janë pa leje mjedisore dhe pa leje shfrytëzimi, pasi ky lumë është zonë e ndaluar dhe nuk lejohet që të shfrytëzohet. Nga kontrolli, u konstatua se në impiantet e fraksionimit të inerteve, subjektet kanë gjendje sasira të mëdha inertesh lumore dhe nuk kanë bërë çmontimin e makinerive", thuhet në njoftimin e ministrisë së Mjedisit.

Më tej, thuhet se firmat e ndëshkuara janë penalizuar me nga 2 milionë lekë gjobë dhe pezullim të aktivitetit për ushtrim të aktivitetit të prodhimit të betonit pa leje mjedisore.

Ndërkaq, në lumin e Matit, u kontrollua segmenti Rrëshen-Rubik, e cila është zone e lejuar, por shumica e subjekteve që ushtrojnë aktivitetin e shfrytëzimit dhe fraksionimit të inerteve janë pa leje mjedisore dhe kanë punuar jashtë afateve kohore të përcaktuara nga ligji.

Në fund, kontrolli konsistoi në lumin e Tërkuzës, ku shfrytëzimi i paligjshëm i inerteve lumore vazhdon ende në shtratin e tij.

Firmat e këtushme u gjobitën me nga 1 milionë lekë si dhe pezullim të aktivitetit të shfrytëzimit dhe fraksionimit të inerteve në zonë të ndaluar nga vendimi "Për reduktimin e shfrytëzimit të zhavorreve dhe rërave në shtretërit e lumenjve", pa leje mjedisore.

n.e/NOA

KOMENTE