Tiranë, 1 mars, NOA - Shqipëria mbështet politikën e dyerve të hapura të Aleancës së Atlantikut të Veriut, thellimin e bashkëpunimit dhe zgjerimin e partneriteteve të saj si edhe ruajtjen e thellimin e marrëdhënieve transatlantike, të cilat priten të reflektohen në dokumentin e ri që do të miratohet në Samitin e ardhshëm të NATO-s në Lisbonë. Një fakt të tillë, ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, ia ka bërë me dije delegacionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s të kryesuar nga senatori italian, Sergio de Gregorio.
Gjatë këtij takimi u shkëmbyen mendime rreth sfidave të ardhshme të Aleancës, rolit të Shqipërisë në NATO, tashmë anëtare prej një viti e saj, prioriteteve të politikës së jashtme dhe të sigurisë së Shqipërisë si dhe mbi integrimin euro-atlantik të vendeve të rajonit.
Meta theksoi se prioritet për vendin tonë mbeten thellimi i bashkëpunimit rajonal dhe integrimi euroatlantik i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në këtë kuadër, Meta nënvizoi rolin konstruktiv të Shqipërisë, si anëtare e re e NATO-s, në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon.
Në përgjigje të interesimit të anëtarëve të delegacionit në lidhje me Konceptin e ri Strategjik të Aleancës, Meta theksoi se parlamentarët e Aleancës vlerësuan rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon, performancën e saj në NATO si dhe angazhimin e saj në kuadër të ISAF-it në Afganistan.
n.e/NOA