Tiranë, 1 mars, NOA / Milena Selimi - Vetëm pak kohë më parë, aktori Enver Petrovci, në një intervistë për median ishte shprehur se "Skena nuk mund të më befasojë", çka u pa se edhe mund të ndodhte në mbrëmjen e datës 28 shkurt në Teatrin e Metropolit. Një buqetë me lule në fundin e shfaqjes "Sonte jam vetëm", nga drejtori Kiço Londo, me fjalët "Përulem me respekt përpara artistit të madh të trojeve shqiptare. Jam i lumtur që jetoj në epokën e Petrovcit" ishte një moment emocionant për aktorin e fjalës, në ditën e tij të ditëlindjes, që përkoi bukur me shfaqjen dhe qëndrimin e tij në Tiranë.
"Ndihem i nderuar që ju sot ndodheni në këtë skenë, me këtë shfaqje dhe në ditën tuaj të lindjes. Ju urojmë krijimtari dhe energji skenike në jetën tuaj", u shpreh përpara publikut që duartrokiti gjatë, drejtori Londo.Çaste magjike në një skenë, ku aktorët Niada Saliasi dhe Ilir Tafa aktruan me profesionalizëm për një orë e 15 minuta, tekstin e autorit Andre Pol Antoine nën regjinë e Enver Petrovcit.
"Ju falënderoj nga zemra dhe ju them se është një nga ditët e mia më të bukura të jetës. Duhet të jeni të lumtur që Tiranës po i shtohen hapësira të reja kulturore, si ky Teatër i Metropolit, i cili po pasuron shpirtërisht jetën kulturore të kryeqytetit.
Aktori Enver Petrovci pas 100 roleve në teatër e ka më të lehtë të tërheqë vëmendjen e publikut, me vetëm një lëvizje, një gjest skenik, që përvijon karakterin e personazhit. I mjafton vetëm prezenca për të dëshmuar aftësitë e një aktori karriere. I njohur nga publiku shqiptar me rolin e "Idiotit", ai u bë i ‘gjallë' sërish vitin e kaluar me dramën "Guxim për vrasje" ku rrëmbeu edhe trofeun e aktorit më të mirë në "Apollon 2007" çmim të cilin e ndau me aktorin Bujar Asqeriu.
Po ashtu kujtohet nga publiku shqiptar edhe me rolin e gjeneralit në filmin "Anatema" me regji të Agim Sopit. I njohur për rolet e tij të karrierës që nisin që nga Shekspiri e përfundojnë tek Çehov, apo Gogol.
I angazhuar në 54 teatro me kontratë, si aktor, Petrovci adhuron lirinë e veprimit dhe të shfaqjes së aftësive, shprehet se "Unë mendoj se nëse ngulesh në një vend, aty dashur pa dashur plakesh si artist, me mendime".
Roli i tij i parë ka qenë në dramën "Mblesëria" të Çehovit, ku kishte rolin kryesor.
Thotë se ambicia e tij për aktrimin nuk është më befasi, ndaj "Mendoj se nuk ka kuptim që të merrem me aktrim në këto troje me këtë ambicie të vogël, por ndoshta si dramaturg dhe si regjisor i teatrit kam ambicie".
Ai ka qenë pjesëmarrës në shfaqjen "Daja Vanja" në rolin e Serebrakov-it me regji të Slobodan Unkovskit. I pyetur nëse pas kaq vitesh eksperiencë skenike ka ndryshuar koncepti i tij për teatrin, Petrovci gjen përgjigjen: "Si qasje, jo, si mendim, jo, si dashuri jo, si vullnet jo, madje edhe si dijeni jo, por ka ndryshuar sepse jam rritur në eksperiencë dhe ndiej një qetësi në skenë".
Ambicia e tij e radhës është të shkruarit dhe regjia.
m.s/n.e/NOA