English

PS: Amendamentet e SHISH, antikushtetuese

Tiranë, 1 mars, NOA - Amendamentet e projektligjit të propozuar nga mazhoranca për ligjin e SHISH-it, përbëjnë një përpjekje të rrezikshme antikushtetuese dhe antidemokratike.

Kështu ka deklaruar gjatë një deklarate për shtyp, deputeti socialist, Ilir Gjoni, sipas të cilit, kjo nuk është veçse një përpjekje e radhës e kryeministrit Berisha, për të uzurpuar për interesa politike dhe personale Shërbimin Informativ Shtetëror.

"Ndryshimet e propozuara bien ndesh me ligje të tjera dhe sidomos me Kushtetutën. Këto, ndryshime, prekin katër nene thelbësore te ligjit aktual dhe konkretisht: detyrat e SHISH, ato të drejtorit të tij, statusin e drejtuesve, si dhe bashkëpunimin e këtij shërbimi me ato partnere", ka cituar Gjoni.

Më tej, ai ka konkretizuar sesi amendamenti i nenit tre, ku SHISH ngarkohet me detyrë të mbrojë sigurisë kombëtare, është i gabuar dhe antikushtetues, pasi këtij shërbimi nuk i jepen mjete ligjore, për një funksion të tillë.

"Ndërsa amendamenti tjetër i këtij neni, ku SHISH mbledh informacion për njohjen, zbulimin dhe parandalimin e korrupsionit të personave që ushtrojnë funksione publike, është i panevojshëm, pasi ligji ekzistues, nuk e pengon këtë shërbim të mbledhë informacion dhe të informojë për këtë lloj të veprimtarisë kriminale", shton deklarata e përfaqësuesit socialist.

Nga ana tjetër, ai ka pohuar sesi termi " të mbështesë veprimtarinë e forcave policore", është tepër i gjerë dhe le vend për interpretim.

"Edhe amendamenti, ku SHISH-it i ngarkohet detyrë të certifikojë personat, sipas përcaktimeve ligjore, është shumë i përgjithshëm, lë vend për interpretim të zgjeruar, bie ndesh me ligjin "Për informacionin e klasifikuar", si dhe krijon paqartësi, në shërbim, në publik dhe administratë. Sipas logjikës së këtij propozimi, lindin të paktën tri pyetje: cili është kuptimi i termit certifikim, cilët janë subjektet e certifikimit dhe cilat janë përcaktimet ligjore? Këto boshllëqe ligjore lënë vend për abuzim politik dhe personal të Kryeministrit, ndaj kundërshtarëve të tij politik", përfundon sqarimi i deputetit socialist lidhur me këtë çështje.

n.e/NOA

KOMENTE