English

Vetëvrasja te "Don Bosko", dëshmitë e familjes

Detajet e plota nga hetimi i Komisariatit nr 3 i Tiranës dhe dëshmitë e të shoqit dhe kunatës së të ndjerës

Tiranë, 1 Mars NOA Update - Një grua i dha fund jetës sonte në Tiranë, pasi u hodh nga apartamenti i saj në katin e pestë të një pallati të ri në rrugën "Don Bosko" në Tiranë.

Viktima është Shqipe Mustafa, 35 vjeçe, e martuar, nënë e një fëmije, djalë 3-vjeçar, i thanë NOA-s, burimet policore që i referohen të dhënave të para në vendin e ngjarjes.

Pasi u pa nga kalimtarë të rastit, këta të fundi së bashku me familjarë kanë nxituar ta dërgojnë për ndihmë mjekësore të dëmtuarën.

Burime në Spitalin Ushtarak të Tiranës ku mbërriti e plagosura, i thanë agjencisë NOA se ajo ndërroi jetë vetëm pak minuta më pas për shkak të dëmtimeve serioze që kishte marrë në kokë dhe në trup.

Gjendja e rënduar psikologjike për shkak të një situate depresive që po kalonte, bënë që e ndjera të ndërmarrë aktin tragjik të vetëflijimit, thanë burimet policore për agjencinë NOA, që gjithsesi shtuan se hetimet do të vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje.

***

Ndërkohë, burime nga Komisariati nr 3 i Policisë së Tiranës që po merren me ngjarjen, i thanë sonte agjencisë NOA se vdekja e ndodhur në kullën nr 6 të pallateve Almak në rrugën "Don Bosko", është duke u hetuar intensivisht.

Mësohet se janë marrë në pyetje bashkëshorti i viktimës dhe kunata e saj. Nga dëshmitë e tyre, bëhet e ditur se viktima, 35 vjeçe, me punë rrobaqepëse në një rrobaqepësi private në zonën e Don Boskos, ka qenë pasditen e sotme rreth ores 19.45 duke u kthyer në shtëpi dhe ndërkohë i shoqi, një infermier, është ndalur në një nga kafenetë pranë pallatit ku jetojnë.

Pasi është ngjitur lart, 35-vjeçarja ka lënë mënjanë të birin tre vjeçar dhe në pak çaste, sikundër ka dëshmuar kunata e saj, është zhdukur nga sytë e tyre.

Kur ka dalë në ballkonin e katit të pestë, kunata e Shqipe Mustafës ka parë të shtrirë përtokë 35-vjeçaren dhe menjëherë ka kërkuar ndihmë përmes telefonit.

I shoqi i Shqipe Mustafës mes të qarash pafund, ka treguar për grupin hetimor se me ta parë skenën e tmerrshme e ka futur në makinë dhe e ka dërguar në Spitalin Ushtarak vetëm disa dhjetëra metra më larg.

Megjithë përpjekjet e mjekëve, shpëtimi i viktimës ishte i pamundur sepse pak minuta më vonë ajo ka ndërruar jetë.

e.r/r.b/NOA

KOMENTE