Tiranë, 2 mars, NOA - Duhet të ketë një diskutim të gjerë ekspertësh të Bankës Botërore dhe qeverisë, në kuadrin e strategjisë të re të asistencës së këtij institucioni të njohur financiar ndërkombëtar kundrejt vendi tonë. Ky bashkëpunim përfshin prioritetet e qeverisë në infrastrukturë si rrugët rurale dhe ujësjellësa sidomos në zonën Tiranë-Durrës, në kujdesin shëndetësor, arsim, në reformën e tokës, në fushën e energjisë për sigurimin e digave dhe në mbështetjen e sektorit privat, përmes Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC).
Një fakt të tillë e ka bërë me dije kryeministri Berisha gjatë një takimi me Huan Jose Fernandez-Ansola dhe Jaime Jaramillo-Vallejo, nga Banka Botërore, si vlerësues të pavarur për llogari te Bordit të Bankës të projekteve në Shqipëri, në kuadrin e strategjisë së mëparshme të asistencës.
Ky delegacion i Bankës Botërore ndodhet në Shqipëri për të parë më nga afër nëse projektet e Bankës Botërore kanë qenë në përputhje me prioritetet e qeverisë shqiptare dhe nëse strategjia e re e asistencës po konsultohet me qeverinë, në mënyrë që Banka Botërore të pozicionohet aty ku vendi e ka të nevojshme.
Kryeministri nga ana e tij, i falënderoi përfaqësuesit e BB-së për vizitën e tyre dhe shprehu konsideratat e larta për këtë institucion, si një donator dhe partner serioz në të gjitha reformat që qeveria shqiptare ka ndërmarrë.
Ai solli në vëmendje rolin e Bankës Botërore në financimet e shumta, efiçente dhe kontributet e suksesshme në infrastrukturë, veçanërisht të rrugëve rurale apo të rrugës Durrës-Kukës, në arsim, bujqësi, reformat rregullatore, mjedis, shëndetësi, në privatizimet etj.
n.e/NOA