Beograd, 2 mars, NOA - Ministri i Jashtëm francez, Bernard Kouchner, ka kërkuar nga Prishtina dhe Beogradi që të marrin një vendim politik për rifillimin e bisedimeve për çështjet teknike. Në një intervistë për BBC-në, ai tha se Beogradi zyrtar duhet të heqë dorë nga qëndrimi i dyfishtë: njëri për rrugën drejt BE-së dhe tjetri për marrëdhëniet me Kosovën. Ministri francez tha se BE-ja nuk do të presë përgjithmonë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili sipas tij, nuk mund të ndikojë në qëndrimin e 27 vendeve anëtare të BE-së për procesin e zgjerimit. Ai tha se BE-ja nuk do të lejojë krijimin e një konflikti të ngrirë në Ballkan. Zoti Kouchner vlerësoi se nuk do të ketë parakushte për hyrjen e Serbisë në BE-së por do të ketë sipas tij, domosdoshmëri për marrëdhënie të mira. Sipas tij Kosova do të mund t'i bashkohet BE-së pas Serbisë, ose në rastin më të mirë njëkohësisht me të, dhe përçoi porosinë e vendit të tij se Franca do të mbështesë Kosovën në procesin e integrimeve evropiane.
Z.Kouchner, gjatë vizitës suaj në Prishtinë dhe Beograd, një vlerësim se cilat janë dallimet që keni parë në Serbi dhe Kosovë.
- Natyrisht kam parë dallime në kuptimin material. Çdo gjë duket më e mirë përveç njerëzve. Ata janë të bllokuar. Jo ashtu siç kanë qenë, por ata nuk po e marrin parasysh aq sa duhet të ardhmen. Ky nuk është fundi i rrëfimit. Ai ishte një rrëfim i gjatë, para luftës dhe pas luftës. Para luftës, për shumë vjet, kishim një peshë të traditës, dhunës dhe korrupsionit si dhe invazione. Tani më shumë se dhjetë vjet pas, meqë kemi më shumë se dhjetë vjet pas vitit 1999, a është e domosdoshme të presim edhe për një kohë, a është e domosdoshme të jemi të kënaqur? Unë them JO.
Ne duhet të shikojmë kah e ardhmja dhe ta zbulojmë atë. Unë besoj se edhe në Beograd edhe në Prishtinë kemi një lloj hapje edhe me fjalë por edhe në shpirtin e njerëzve. Kjo është e tëra që mund të them. U takon atyre që ta zbulojnë drejtimin e tyre dhe jetën e përditshme. Kjo është politikë, meqë çdo gjë këtu është politike dhe ata duhet të marrin një vendim politik nëse duhet të flasin me njëri tjetrin në një kohë tjetër. Unë nuk u kërkova serbëve të pranojnë Kosovën, meqë kjo nuk është kohë e mirë për këtë. Por që të ecin përpara. Sepse unë u thash shumë qartë atyre: mos thoni se ka dy rrugë. Njëra që çon drejt BE-së dhe tjetra që flet për marrëdhëniet me Kosovën. JO! Të dyja rrugët janë paralele dhe do të bashkohen. Sepse 27 vendet anëtare të BE-së nuk duan që të krijojnë një tjetër Qipro, një shtet tjetër të ndarë dhe kjo është e pamundur që të besohet. Prandaj ishte politikisht e drejtë të thuhet se nuk ka parakushte. Nuk ka parakushte, por ka domosdoshmëri.
Domosdoshmëri për çfarë?
- Mendoj se duhet të ketë një lloj nisme dhe unë nuk dua të kontrolloj ose ta urdhëroj askënd. Por, ata duhet të fillojnë të kenë marrëdhënie normale për njerëzit, për energjinë elektrike, për drejtësinë, për ujin. Por le të rifillojmë procesin e bisedimeve mes njëri-tjetrit. Kjo është shumë e mirë. Por ne që nga Gjeorgjia e diku tjetër, kemi marrë këtë mësim të konflikteve të ngrira dhe ky nuk është sistem i mirë.
A mund të presim që pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që të dyja palët të ulen e të bisedojnë për çështjet e interesit të përbashkët?
- Shpresoj, por eventualisht ta përgatisim këtë edhe më herët. Nuk e di për vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, unë nuk e di. Por një gjë e di sa i përket kësaj këshille. Ajo nuk do të ndikojë mbi 27 vendet anëtare të BE-së sepse të gjitha këto vende janë plotësisht të lira që ta zgjerojnë sistemin ose jo. Dhe nuk i takon as Gjykatës dhe as Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që të vendosin për BE-në. Ata do të vendosin për veten. Por pas qershorit mund të ndodh. Ne do të presim deri në qershor por jo përgjithmonë.
Kur është koha e Kosovës në rrugën e integrimeve evropiane?
- Me siguri pas Serbisë, ose së bashku. Franca është shumë e qartë dhe presidenti Sarkozy ishte shumë i qartë kur e priti presidentin Tadiç. Ne jemi në favor që të gjitha vendet e Ballkanit t'i bashkohen BE-së. Ne e mbështetëm Serbinë dhe gjithashtu do ta mbështesim Kosovën.
BBC