Tiranë, 2 mars, NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Eltar Deda, deklaroi se Gramoz Ruçi u zgjodh Kryetar i Grupit Parlamentar në mënyrë unanime. Në një konferencë të dhënë pas mbledhjes së grupit, Deda u shpreh se nuk ka pasur asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.
Por nga ana tjetër Deda nuk ka pranuar të komentojë faktin se në mbledhjen e grupit mungonin përfaqësuesit e mendimit ndryshe në PS.
"Grupi parlamentar i Partisë Socialiste zgjodhi përmes votimit të fshehtë edhe Kryetarin e Grupit Parlamentar. Në mënyrë unanime, me 55 vota pro, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, grupi parlamentar i Partisë Socialiste zgjodhi zotin Gramoz Ruçi Kryetar", u shpreh Deda.
Ai konfirmoi se në mbledhjen e grupit parlamentar, u diskutua në lidhje me qëndrimin e Partisë Socialiste mbi projektligjin e dorëzuar në Parlamentin e Shqipërisë për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin numër 8891 i datës 05/02/2002 për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit dhe projektvendimin për ngritjen e Komisionit Hetimor.
Ndërsa shtoi se qëndrimi i Grupit Parlamentar Socialist në lidhje me ligjet e depozituara, do të bëhet publik pas përfundimit të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve që pritet të mbahet sot.
m.xh/NOA