English

G99: Imuniteti, mburojë për kriminelët

Tiranë, 2 mars, NOA - Lëvizja G99 e cilësoi sot raportin e Departamenti Amerikan të Shtetit si një dokument që njollos vendin në arenën ndërkombëtare. Përfaqësuesi i G99, Etjen Xhafaj, u shpreh se heqja e imunitetit të politikanëve mund shërbejë për zbardhjen e shumë aferave korruptive dhe trafiqeve.

"Mesazhi i Departamentit Amerikan të Shtetit është shumë i qartë: duhet t'i jepet fund menjëherë kulturës së pandëshkueshmërisë, të hiqet imuniteti pas të cilit fshihen pushtetarët, dhe gjyqësori të mos kërcënohet prej pushtetit politik. Këto nuk janë standarde të denja për një vend anëtar të NATO-s apo aspirant anëtar të Bashkimit Europian", u shpreh Xhafaj.

Ai theksoi se gjyqësori vuan prej presioneve e kërcënimeve politike, duke nxitur një kulturë pandëshkueshmërie në vend.

"Imuniteti s'mund të jetë një mburojë për kriminelë e trafikantë dhe qeveria duhet të heqë dorë menjëherë prej presioneve mbi gjyqësorin, e të lejojë që drejtësia të kryejë punën e saj", u shpreh Xhafaj.

m.xh/NOA

KOMENTE