English

KEK e KESH, firmosin marrëveshje

Prishtinë, 2 mars, NOA - Korporata Energjetike e Kosovës dhe Korporata Energjetike e Shqipërisë janë zotuar për avancimin e bashkëpunimit të ndërsjellë si dhe për angazhimin e përbashkët mes tyre në tejkalimin e vështirësive për furnizimin optimal me energji elektrike të të dyja vendeve. Lajmi bëhet me dijeni nga burime zyrtare të KEK dhe KESH, lidhur me rezultatet e një vizite që i bëri KEK-ut drejtori i përgjithshëm i KESH-it, Muharrem Stojku i shoqëruar me bashkëpunëtorë të tij.

Këto burime sqarojnë se tashmë dy koorporatat funksionojnë si një e vetme dhe takimi i punës ka shërbyer për të ripërtërirë zotimin dhe marrëveshjen që funksionimi i tillë do të vazhdojë edhe në periudhën në vijim.

"Ky bashkëpunim do të ndihmojë edhe më tej në realizimin më të lehtë të planit të prodhimit të energjisë elektrike dhe ofrimin e një shërbimi gjithnjë e më të mirë për konsumatorin", thuhet në deklaratën përkatëse.

Duke shtuar më tej se në takim, u arrit edhe një marrëveshje që brenda një periudhe të shkurtër kohore të ftohet një takim rajonal i kompanive energjetike, për të ndërtuar një bashkëpunim edhe më të afërt dhe më domethënës në mes të vendeve fqinje në fushën e energjetikës.

Po ashtu, të dy Korporatat në fund të muajit prill dhe fillim të muajit maj të këtij viti në Tiranë, u tha se do jenë mikpritëse të një forumi ndërkombëtar mbi energjetikën, ku në prani të shumë ndërmarrjeve të njohura rajonale dhe evropiane do të diskutohet mbi mundësitë që ofrojnë të dy shtetet tona në fushën e energjetikës.

n.e/NOA

KOMENTE