Kriza greke po zbret dhe në Shqipëri. Të gjendur pa punë në Greqi, me dhjetëra emigrantë kanë nisur të kthehen në Shqipëri duke e rritur së tepërmi "ushtrinë" e të papunëve dhe thelluar krizën ekonomike.
Kriza greke ka zbritur tashmë në Shqipëri dhe shumë shpejt shifrat e papunësisë do të rriten nga emigrantët e kthyer nga Greqia. Çdo ditë në pikëkalimet kufitare mbërrijnë emigrantë të trishtuar, të heshtur e të pashpresë, ata që kriza greke i ka shndërruar në viktima të saj.
Ligor Papa nga Përmeti, është një emigrant që shkon e vjen në Greqi e me punën që bënte atje mbante familjen. Tani është kthyer: "Ç'të bëj. Vajta tre muaj pa punë. Dilja atje nuk gjeja punë. U ktheva njëherë këtu të shikoj. Po gjeta punë, mirë, po s'gjeta do iki prapë. Po jeta po bëhet gjithnjë e vështirë".
Krizë gjeti edhe në Shqipëri
Vasilika Gjini është nga fshati Palokastër, e kthyer rreth një muaj më parë për shkak të papunësisë në Greqi. Ajo thotë se krizë gjeti edhe këtu: "Është fukarallëk i madh. Jetojmë me ato që vijnë nga emigracioni po është dhe papunësia në mes. Tokat nuk i punojmë, gjë jo, me ndonjë lopë në shtëpi, asgjë tjetër.
Por ka nga ata që ende shpresojnë tek fati. Tek mundësia e gjetjes së një pune sërish në Greqi. Berti Sinani ikën e vjen në Greqi, me shpresë të sigurojë një copë punë, edhe pse e di që situata është tejet e vështirë… "Jam shumë i detyruar, sakrifikoj, lakmoj, çdo gjë e bëj nga e keqja. Ore do punoj, jam pa punë, i kam të gjithë pa punë. Me sakrifica të mëdha, siç bëjnë të gjithë do bëj dhe unë."
Kriza prek biznesin shqiptar me lëndë të parë nga Greqia
Biznesmeni Koço Qirjako që ka biznes mermerin thotë se: …Është e vërtetë se ka një ulje të xhiros mujore, janari, shkurti e në vazhdim e shikojmë që do të vazhdojë kjo krizë. Kryesorja është që kjo lidhet me Greqinë, që ne marrim lëndën bazë, që është guri mermerit që ne e presim, po mund te them se 80% vjen nga Greqia. Po nuk erdhi euro nga Greqia, ka rënie ekonomike atje, normal që do ndjehet dhe këtu."
Luljeta Shajku, ka vetëm disa ditë që është kthyer nga Patra e Greqisë. Pasi humbi vendin e punës në një fabrikë makaronash, tentoi për disa muaj të gjente punë por pa rezultat. Edhe si pastruese. U kthye në Shqipëri: "Janë mbyllur punët gjithandej. E zonja e shtëpisë më tha: - ik më tha dhe unë u ktheva këtu në Shqipëri. Po s'ka punë dhe këtu në Shqipëri, do kthehem përsëri."
Kriza greke po prek dhe jetesën e dhjetëra banorëve në Shqipëri të cilët jetonin nga dërgesat e fëmijëve të tyre që punojnë në Greqi.
Emigrantët thonë "kemi krizë për vete"
Një nënë në lagjen Palorto në Gjirokastër, Bale Sherifi që jetesën e përballon nga dërgesat e fëmijëve në Greqi thotë se: ..."Emigrantët thonë kemi krizë për vete. Unë për vete kam vetëm çupën andej. Nuk kanë. Ja sa fola, mami është bërë keq. Është vështirësi, tha, me qera, me këto, nuk ka dhe greku që i kemi ne."
Fredi Gozhita në Gjirokastër, që drejton biznesin e trasnfertave të parave nga Greqia në Shqipëri thotë se …"ka rënie të madhe. Ka rënie në transfertë për familje, por dhe për njerëz që bënin biznes. Nuk ekzistojnë fare tani. Edhe ata që ju dërgonin prindërve që kanë ngelur këtu, 100, 200 euro thuajse nuk ka më".
Kjo krizë po prek edhe sistemin bankar në vend, ku bankat greke të nivelit të dytë kanë akses në rreth 38 për qind të sistemit bankar shqiptar.
Kësisoj shenjat janë të qarta se kriza greke, nën efektin domino ka zbritur furishëm edhe në Shqipëri.
Odise Kote/ DW
Foto: Çdo ditë në pikëkalimet kufitare mbërrijnë emigrantë që kthehen në shtëpi