English

NATO: Kriza pengon integrimin në BE

Tiranë, 2 mars, NOA - Kriza politike që ka mbërthyer Shqipërinë kohët e fundit paraqet pengesë në rrugën e integrimit të saj drejt Bashkimit Evropian.

Një fakt të tillë e bëri me dije në përfundim të vizitës dy-ditore në vendin tonë, kreu i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, senatori italian Serxho De Gregorio.

Sipas tij, është fakt se kriza politike nga ana tjetër pengon edhe zbatimin e strategjisë së NATO-s, prandaj përbën shqetësim për Aleancën kundrejt Shqipërisë.

Në këtë kuadër, ai bëri thirrje për zgjidhjen sa më parë të krizës në vend dhe angazhim e vullnet politik për këtë mes palëve.

"Parlamenti të jetë funksional, duhet dialog dhe konsensus për të zgjidhur krizën", tha ai.

Nga ana tjetër, ai tha se janë një sërë ligjesh që duhen për në NATO dhe Bashkimin Evropian prandaj liderët politikë duhet të gjejnë një zgjidhje që të realizohet mirëfunksionimi i parlamentit.

Gjatë qëndrimit dy-ditor në vendin tonë, delegacioni i Asamblesë Parlamentare të NATO-s u takua me krerët më të lartë politikë si Topi, Berisha dhe Topalli, nga të cilët ka kërkuar bonsens për reformat dhe ka shprehur bindjen se politika shqiptare do ta gjejë rrugën për të dalë nga kriza që e ka kapluar, duke ecur gjithmonë para, drejt aspiratës evropiane.

n.e/NOA

KOMENTE