Athinë, 2 Mars NOA - Një vrasje e shëmtuar mes emigrantësh ka ndodhur pasditen e sotme në Athinë, pasi një kriminel iraken qëlloi duke i marrë jetën një shqiptari, informon korrespondenti i agjencisë NOA.
Ngjarja ndodhi në orën 15.00 ora e Greqisë në Shën Pantelimona të kryeqytetit helen, kur një emigrant iraken ka qëlluar me armë zjarri duke lënë të vdekur në vend një të ri shqiptar, kur ai po lëvizte në kryqëzimin e rrugëve "Aristumenus" dhe "Agathopuleos", - i thanë korrespondentit të NOA, burime policore dhe dëshmitarë në vendngjarje.
Nga hetimet paraprake, mendohet se ka pasur një përplasje pak minuta para vrasjes mes shqiptarit dhe vrasësit iraken, për shkaqe ende të panjohura.
"Emigranti shqiptar ra përtokë pasi u qëllua me mori plumbash nga një pistoletë me silenciator me të cilën hapi zjarr emigranti me ngjyrë", - treguan dëshmitarët.
Policia e Athinës, zyrtarisht tha se autori ishte një shtetas iraken dhe viktima një i ri shqiptar, por refuzoi të japë identitetet e tyre për shkak të ligjit që ndalon publikimin e të dhënave personale për shtypin.
Policia tha se irakeni ishte ndihmuar dhe nga një bashkëkombës i dytë dhe që të dy arritën të zhdukeshin në drejtim të paditur.
Në fakt, krimi ndodhi në mes të ditës dhe në mes të dhjetëra njerëzve kalimtarë të cilët nuk kuptuan për momentin asgjë, pasi agresori qëlloi me armë me silenciator dhe vetëm kur shqiptari ra në tokë i mbuluar me gjak, lëshuan alarmin dhe klithmat.
n.s/e.r/NOA