"Gjykata e Lartë pushon çështjen ndaj ish-Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili u padit nga dy banorë të Gërdecit, të plagosur rëndë nga shpërthimi i 15 Marsit 2008. Sipas Kolegjit Penal, nuk ka prova që të vërtetojnë fajësinë e Mediut, e për pasojë nuk mund të kërkohet heqja e imunitetit. Kështu, Gjykata e Lartë pushon për herë të dytë çështjen ndaj Fatmir Mediut që për dy herë me radhë, është akuzuar si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit. Herën e parë imuniteti iu kërkua nga prokuroria dhe të dytën herë nga familjarë të të dëmtuarve nga tragjedia e 15 marsit, që mori 26 jetë njerëzish"
Nga Mero Baze*
Vendimi i Gjykatës së Lartë për pushuar për herë të dytë çështjen penale ndaj Ministrit Fatmir Mediu, duket irritues, por në të vërtetë është logjik. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë arsyetoi se dosja me 400 faqe e dy personave nga Gërdeci që fajësojnë Mediun për dëmin që iu shkaktua nga shpërthimi i 15 Marsit nuk ka asnjë provë që fajëson Fatmir Mediun dhe si rrjedhim nuk është me vend kërkesa për heqjen e imunitetit.
Megjithatë, ngarkesën emocionale që ka ky gjyq, kërkesa e banorëve hap një precedent, i cili nëse do të aplikohej duhet të kishte në qendër të tij Sali Berishën, si kryeministër dhe më pas si baba të djalit të tij, Shkëlzen Berisha.
Ajo që ndodhi në Gërdec ishte një histori e pastër e kapjes së shtetit nga djali i kryeministrit, i cili loboi kontratën vdekjeprurëse dhe për shkak të arrogancës së pushtetit të babait të vet, askush nga ata që drejtonin biznesin real të tij, nuk përfillën asnjë rregull.
Siç e shihni, tani gjyqi ka përfunduar te një karrocë dhe një saldator i vdekur për të gjetur kush e kishte fajin, karroca apo saldatori. Në këto kushte, padia e ngritur nga banorët ndaj Fatmir Mediut, nuk është hallka më e rëndësishme e fajtorit. Ajo kontratë u bë ashtu, pasi u lobua nga djali i kryeministrit, për të cilin ekzistojnë prova të qarta.
Ekzistojnë prova që ai drejtonte lobimin e referencave pozitive nga Ministritë e Drejtësisë dhe ministri të tjera, ekzistojnë prova që fakset drejtoheshin në adresë të tij, ekzistojnë prova që ai hynte e dilte në atë periudhë në zyrën e Ministrit, ekzistojnë prova që njerëzit e afërt të tij, përfshi dhe burrin e tezes, ishin dhe u vranë aty bashkë me të tjerë.
Në një proces gjyqësor ku ky njeri është lënë jashtë, për shkak të babait të vet, është e pakuptimtë të hapet një çështje ndaj Fatmir Mediut, në këtë rast ai është një ushtar i bindur i tij për arsye politike dhe financiare.
Në këtë kuptim Gjykata e Lartë, e cila nuk guxoi as të vazhdonte gjykimin e Fatmir Mediut si i pandehur, ishte e palogjikshme të merrte vendim kundër tij si shkaktar i fatkeqësisë. Një drejtësi, e cila ka mbyllur me procedurë të gjitha këto çështje, nuk ka se si të hapë një precedent të ri për të rigjykuar pjesëtarët politikë të këtij skandali.
Për këtë shkak, vendimi i saj i sotëm ishte i pritshëm, megjithëse të gjithë e dimë se ai na dëshpëron po aq shumë sa vendimet e tjera të kësaj gjykate, që ka mbyllur me procedurë një proces gjyqësor që ka pas në qendër të vëmendjes, djalin e Berishës, vajzën e tij apo vetë Sali Berishën siç është rasti i rrugës Durrës-Kukës.
(*) Dërguar nga autori, pikëpamjet e shprehura në shkrim janë qëndrim personal. Për më shumë mbi rregullat e rubrikës "Opinion" klikoni Rreth NOA