Tiranë, 2 mars, NOA - Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë ka kërkuar sot nga institucionet ligjzbatuese në vend, që të jenë më të ashpra në dënimet që japin për zyrtarët e korruptuar.
Deklarata është bërë na Zëvendëskryetarja e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri gjatë ceremonisë së dorëzimit të certifikatave të trajnimit të zyrtarëve publikë mbi "Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Administratën Publike".
"Duhet të krijohet një regjistër bindës verdiktesh, dhe dënimesh e gjobash të ashpra në rastet e korrupsionit. Rëndësia e bashkëpunimit midis sektorit publik dhe atij privat në luftën kundër korrupsionit duhet të ritheksohet, pasi zbatimi i efektshëm i legjislacionit kërkon bashkëpunim midis shtetit dhe aktorëve të shoqërisë civile", tha përfaqësuesja e OSBE-së, Renate Herrmanns.
Ajo ka përgëzuar Inspektorin e Lartë për përpjekjet dhe arritjet e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive në luftën kundër konfliktit të interesit në administratën publike dhe miratimin e një sërë ligjesh, por ka theksuar se kjo nuk është e mjaftueshme.
"Disa raporte ndërkombëtare të kohëve të fundit si Indeksi i vitit 2009 i Transparency International për Perceptimin e Korrupsionit tregojnë se korrupsioni mbetet një problem madhor në Shqipëri. Si i tillë, ai konsiderohet me të drejtë një prioritet kryesor i qeverisë.
Korrupsioni e frenon zhvillimin ekonomik të këtij vendi", u shpreh përfaqësuesja e OSBE-së.
Ajo u shpreh se do të ishte një zhgënjim i madh nëse gjithë ky zhvillim i madh social, ekonomik dhe politik që ka bërë Shqipëria në procesin e reformave të çalonte për shkak të mosecjes përpara në fushën e adresimit të korrupsionit.
m.xh/NOA