English

Raporti i DASH: Në Shqipëri, paga të ulëta dhe korrupsion

"Pagat e ulëta, një shoqëri që e pranon gjerësisht ryshfetin, lidhjet e ngushta shoqërore, e bëjnë të vështirë luftën kundër korrupsionit në radhët e policëve, gjykatësve dhe zyrtarëve të doganave"

Uashington, 2 Mars NOA - Korrupsioni vazhdon të mbetet një problem madhor për Shqipërinë, thuhet në Raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit që ndalet në strategjinë ndërkombëtare kundër trafiqeve të lëndëve narkotike.

Pagat e ulëta, - vlerëson raporti, - një shoqëri që e pranon gjerësisht ryshfetin, lidhjet e ngushta shoqërore, e bëjnë të vështirë luftën kundër korrupsionit në radhët e policëve, gjykatësve dhe zyrtarëve të doganave.

"Megjithëse rastet e zyrtarëve të akuzuar për korrupsion janë shtuar, Shqipëria vazhdon të vuajë për shkak të mungesës së pavarësisë e gjyqësorit, nga mungesa e transparencës së procedurave ligjore dhe shumë raste nuk zgjidhen kurrë", - thuhet më tej në raport.

Kurse evidentohet edhe fakti se hetimet e rasteve të korrupsionit pengohen nga imuniteti që gëzojnë zyrtarë të lartë të qeverisë, gjykatës dhe anëtarë të parlamentit.

Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin vjetor për strategjinë ndërkombëtare kundër narkotikëve i kushton një vëmendje të veçantë dhe trafikut të drogave në vendin tonë, duke konsideruar se "Shqipëria shërben si një vend tranzit për trafikantët e drogave që transportojnë heroinën e prodhuar në Afganistan, nga Azia Qendrore për në destinacione të ndryshme në Evropën Perëndimore".

raporti evidenton se në vitin 2009, në Shqipëri u shtua sasia e heroinës së kapur, ndërsa ka rënë sasia e marihuanës së kapur.

Në përgjigje të trysnisë ndërkombëtare, thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit, qeveria e Shqipërisë, u është kundërvënë me agresivitet elementëve kriminalë.

Kurse vëren menjëherë më pas se përpjekjet e Qeverisë, pengohen nga mungesa e burimeve dhe ekspertizës si dhe nga korrupsioni i lartë.

"Dalja në Adriatik, si dhe kufijtë tokësorë jo të ruajtur mirë, e bëjnë këtë vend një ndalesë tërheqëse për trafikantët që fusin droga në Evropën Perëndimore, pjesërisht edhe si rezultat i mungesës së fondeve për të financuar përpjekjet antidrogë dhe korrupsionit të përhapur mes zyrtarëve të rendit", - evidenton Raporti që i përmbledhur u publikua nga radio Zëri i Amerikës.

Ndërsa historikisht shumica e drogave kalonin përmes Detit Adriatik, politikat më agresive të qeverisë shqiptare, si dhe patrullimi më i mirë i bregdetit, kanë bërë që trafikantët t'i zhvendosin rrugë-kalimet drejt kufijve tokësore me Kosovën dhe Malin e Zi, duke përdorur Serbinë dhe Bosnjen si pika tranziti.

Raporti konsideron se moratoriumi i qeverisë shqiptare ndaj anijeve të shpejta ka bërë që të ngadalësohet lëvizja e drogave dhe trafiku i njerëzve drejt Italisë.

Ndërsa kujtohet edhe fakti se në janar të vitit 2009, firma Lokheed Martin përfundoi instalimin e një sistemi radarësh për mbikëqyrjen e detit, gjë që u jep autoriteteve shqiptare të dhëna në kohë reale se çfarë mjetesh lundruese ndodhen në ujërat detare të vendit.

Policia shqiptare, thuhet më tej në raportin e Departamentit të Shtetit, vazhdon të kapë sasi më të mëdha heroine nga viti në vit.

Sipas të dhënave nga Italia, sasia e drogës afgane e kapur në Itali, që ka shkuar aty drejtpërdrejtë nga Shqipëria, mbetet në kuota të ulëta.

Trafikimi i drogave vazhdon të përbëjë një nga profesionet e paligjshme më fitimprurëse në Shqipëri.

Ministria e Shëndetësisë, thuhet në raport, njofton se përdorimi i drogave në vend ka ardhur në rritje.

Sipas ministrisë, në Shqipëri ka rreth 30 mijë përdorues drogash, por të dhënat mbi të cilat bazohet kjo shifër, nuk janë shumë të besueshme.

Qeveria e Shqipërisë, shkruan raporti i Departamentit të Shtetit, ka marrë masa kundër përdorimit të drogës, por përsëri përpjekjet e saj pengohen nga infrastruktura e pamjaftueshme shëndetësore për t'u marrë me trajtimin e përdoruesve të drogave.

e.r/NOA

KOMENTE