English

Ruçi: Nismat e PS-së, zgjidhin krizën

Tiranë, 2 mars, NOA - Nismat e Partisë Socialiste, paraqitur në Kuvend mbi hetimin e zgjedhjeve, i japin zgjidhje krizës politike së krijuar prej muajsh në vend.

Një deklaratë të tillë, kryetari i sapozgjedhur i grupit parlamentar të kësaj partie, Gramoz Ruçi, e ka deklaruar menjëherë pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve ku ai ka qenë i pranishëm për të mbrojtur pikërisht nismat e lartpërmendura.

"Siç e dini, grupi parlamentar i Partisë Socialiste, ka paraqitur dy kërkesa: një për amendimet e komisionit hetimor dhe një nismë për ngritjen e komisionit hetimor mbi zgjedhjet. Që të dyja këto nisma, janë kërkesë e domosdoshme për zgjidhjen e krizës politike dhe janë një kërkesë e domosdoshme për integrimin e Shqipërisë në BE", tha Ruçi.

Duke shtuar më pas se "për fat të keq, në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve nuk u pa ndonjë preokupim për ndryshim të vullnetit politik të mazhorancës". "Përkundrazi, u ndeshëm me pretendime procedurale të cilat zgjatën deri në këtë orë dhe përfundimisht u ra dakord që në datë 18 do të diskutohen të dyja nismat, si nisma për amendimin e ligjit organik për komisionet hetimore, ashtu edhe nisma për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar. Le të mos ta paragjykoj. Do të vazhdojmë të bëjmë apel, do të shpalosim të gjithë përgjegjësinë dhe seriozitetin tonë, që nëse do të ndodhë e kundërta, ky do të jetë lajmi më i keq për Shqipërinë dhe shqiptarët", përfundoi Ruçi.

n.e/NOA

KOMENTE