Paris, 2 Mars - Të paktën 59 persona kanë humbur jetën nga stuhia e fuqishme, e njohur si Sintija, e cila, fundjavën që shkoi, ka përfshirë Evropën perëndimore. Më të goditurat janë: Franca, Spanja, Gjermania, Portugalia dhe Belgjika. Numri më i madh i viktimave është në Francë, ku janë shënuar 45 të vdekur.
Kryeministri francez, Fransoa Fijon, ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme të Qeverisë. Ai e ka konsideruar stuhinë si një "katastrofë kombëtare". Një milion shtëpi në Francë raportohet të kenë mbetur pa energji elektrike, publikon radio Evropa e Lirë.
Presidenti Nikolla Sarkozi dhe ministri i Punëve të Brendshme, Bris Ortefe, planifikojnë t'i vizitojnë zonat e rrezikuara. Ministria e Financave ka njoftuar se gjatë 2010-ës do t'ua ulë taksat të prekurve nga stuhia. Në Spanjë dhe Gjermani, nga stuhia kanë humbur jetën 3 njerëz, ndërkaq në Portugali ka vdekur një fëmijë. Në Belgjikë, e cila po ashtu është prekur nga stuhia, ka humbur jetën një person. Edhe pse në Britaninë e Madhe nuk kishte stuhi, lumenjtë kanë dalë nga shtrati, ndërsa valët e mëdha kanë përmbytur shumë qyteza në brigjet e Oqeanit Atlantik. Në Zvicër ka pasur erëra të forta, të shpejtësisë 160 kilometra në orë, por nuk janë shënuar viktima. Për shkak të stuhisë, në aeroportin e Frankfurtit në Gjermani, janë anuluar 200 fluturime. Në dy aeroportet kryesore të Parisit janë anuluar mbi 100 fluturime, përderisa janë shënuar vonesa të shumta në nisjen e trenave. Në Pirineje dhe në Alpet jugore është rritur rreziku i ortekëve, për shkak të erërave që kanë arritur shpejtësinë madje edhe në 200 kilometra në orë.