English

Topi: Komunizmi nuk dënohet me retorika

Tiranë, 2 mars NOA - Dënimet e krimeve të komunizmit nuk bëhen thjeshtë me retorika. Ky është mesazhi që kreu i shtetit Bamir Topi dha dje gjatë një takimi me përfaqësues të Shoqatës Mbarëkombëtare për Integrimin e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë.

Përfaqësuesit e shoqatës ishin Sekretari i Përgjithshëm, Besim Ndregjoni i Shoqatës Mbarëkombëtare për Integrimin e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë, i cili shoqërohej nga Bedri Blloshmi, vëllai i poetit të ekzekutuar nga regjimi komunist në korrik të vitit 1977 si dhe botuesja Miranda Gjyzeli.

Përfaqësuesit i dhuruan Kreut të shtetit shqiptar në shenjë vlerësimi librin e autorit Bedri Blloshmi të titulluar: "Fabrikimi i Vdekjes" në të cilin botohet e plotë historia tragjike dhe dosjet e sigurimit për poetët e ekzekutuar në mënyrë makabër nga diktatura komuniste - Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës.

Presidenti Topi, pasi i falënderoi përzemërsisht për dhuratën e vyer e dinjitoze, theksoi se "ky libër jo vetëm përmban vlera historike dhe dokumentuese, por shërben si një pikë referimi që shoqëria shqiptare duhet ta lexojë e të mundohet që të përfytyrojë krimet e periudhës diktatoriale, të cilat nuk mund të dënohen dot duke përdorur thjesht retorika."

Kreu i shtetit i siguroi përfaqësuesit e Shoqatës Mbarëkombëtare të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë për mbështetjen dhe përkrahjen e tij të plotë institucionale dhe njerëzore për rehabilitimin dhe ri-integrimin e kësaj shtrese në të gjitha aspektet e jetës shoqërore të vendit.

m.xh/NOA

KOMENTE