Nga Blerina Ahmetaj
Paskuqan, 2 mars, NOA - Është mëngjes, ora 8 e 30 minuta. Jemi në poliklinikën e re të specialiteteve në Paskuqan. Dera e mbyllur na tregon se në godinë nuk ka njeri. Prej disa muajsh, kjo godinë e poliklinikës së specialiteteve në komunën e Paskuqanit, pak kilometra larg Tiranës, nuk është vënë në funksionim për banorët edhe pse duhet të kishte nisur tashmë punën. Ndonëse kanë përfunduar të gjithë punimet dhe godina është brenda parametrave bashkëkohorë, brenda saj nuk ka as drita e as ujë.
Kjo pengon stafin mjekësor të nisë punën normalisht pasi si pasojë e këtyre mungesave nuk punojnë aparaturat dhe laboratorët.
E megjithatë, çdo mëngjes rreth orës 9 të ditës stafi i vogël mjekësor prej 5 vetësh, i emëruar pranë poliklinikës së specialiteteve të Paskuqanit vjen në punë, edhe pse nuk bën asgjë jo për faj të tyre.
Të vetmit që vuajnë pasojat e neglizhencës së shtetit, janë banorët.
Për të kryer një ekzaminim mjekësor apo analizë të thjeshtë, banorët e Paskuqanit i drejtohen Tiranës, qendrës së madhe spitalore, QSUT-së.
Banorët pranojnë se në spital paguajnë në dorë për të mbaruar punë pasi nuk kanë asnjë zgjidhje tjetër.
Sipas tyre, e vetmja qendër shëndetësore në komunë është ambulanca por atje kryhen vetëm vizitat e thjeshta dhe merret rekomandimi nga mjeku.
Shumica e banorëve zgjedhin rrugën më të shkurtër duke kryer pagesa direkt në spital.
Projekti për ndërtimin e poliklinikës së re të specialiteteve në Paskuqan i ka kushtuar buxhetit të shtetit 28 milionë lekë.