English

Bashkitë e PS: Në protestë për autonominë

Tiranë, 3 shkurt, NOA - Të zgjedhurit vendor të Partisë Socialiste kanë deklaruar sot se do të nisin protesta në të gjitha njësitë që ata administrojnë, nëse qeveria nuk ndjek politika më të buta përsa i përket autonomisë vendore.

Qëndrimi i kryebashkiakëve të PS-së është bërë publik nga kreu i shoqatës së të zgjedhurve vendor, Artan Shkëmbi, i cili është njëherësh dhe kryetar i bashkisë së Pogradecit.

Deklarata e të zgjedhurve të PS-së u bë pas takimit që kanë pasur ditën e sotme me kryetarin e PS-së dhe të bashkisë së Tiranës Edi Rama.

Rritja e nivelit të taksave dhe ulja e buxheteve të bashkive, sipas të zgjedhurve vendorë të PS-së janë shenja të cenimit të autonomisë së pushtetit vendor.

Shkëmbi ka theksuar se qeveria me rritjen e taksave po përpiqet që krizën ekonomike që ka kapur vendin ta faturojë në kurriz të qytetarëve.

"Qeveria Berisha me veprimet e veta anligjore dhe antikushtetuese po cënon gjithnjë e më shumë pushtetin lokal, po përpiqet të importojë krizën ekonomike dhe financiare në buxhetet e bashkive dhe të qytetarëve të bashkive tona", u shpreh Shkëmbi.

Ndërkohë që një pjesë e buxheteve të bashkive socialiste nuk janë miratuar ende.

m.xh/NOA

KOMENTE