English

Dështon debati për "Shkupi 2014"

Shkup, 3 mars, NOA - Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka dalë me akuza publike ndaj deputetëve të partisë së koalicionit VMRO-DPMNE, për shkak të bojkotimit të Komitetit për marrëdhënie ndëretnike. Pikërisht mosprania e asnjë deputeti të VMRO-DPMNE që janë anëtarë të këtij komisioni kanë shkaktuar bllokimin e punimeve, për shkak të mos sigurimit të shumicës së nevojshme për fillimin e seancës së shumëpritur.

Kryetari i këtij komiteti, Xhevat Ademi nga BDI-ja ka theksuar se kishte tentuar në forma të ndryshme të thërrasë anëtarët e partive, por përgjigje kishin qenë negative. "I kam bërë të gjitha tentimet dhe personalisht, por edhe nëpërmjet telefonit i kam ftuar anëtarët e këtij komiteti, përfaqësues të kabinetit të kryeministrit dhe përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, por nuk kanë ardhur", ka theksuar deputeti Ademi. Demokracia e Re (DR) kërkoi ndryshimin e Ligjit për komitetin, duke kërkuar që të vendoset shumicë e thjeshtë dhe jo dy e treta e anëtarëve, për të mbajtur seancat e rregullta dhe funksionimin e këtij komiteti. Në mbledhjen e djeshme sërish dështoi shqyrtimi dhe debati i paraparë për projektin "Shkupi 2014". Mbledhja e radhës dështoi pasi që nga shtatë anëtarët maqedonas, vetëm tre prej tyre kanë qenë të pranishëm, ndërsa nga pesë anëtarët e komuniteteve të tjera, vetëm dy kanë qenë pjesëmarrës. Nga radhët e deputetëve shqiptarë kanë qenë të pranishëm përfaqësuesit e të gjitha partive politike.

Kryetari i komitetit, Xhevat Ademi ka bërë të ditur se do ti shkruajë letër kryetarit të Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barroso.

NOA-INA

KOMENTE