Durrës, 3 mars, NOA Update - Janë mundur të gjenden dy vajzat, të cilat paraditen e sotme u shpallën të humbura nga familjet e tyre në qytetin e Durrësit.
Lajmi konfirmohet posaçërisht për agjencinë e Lajmeve NOA nga policia e qytetit bregdetar, sipas të cilës, ato u gjetën në breg të detit në Shkozet.
Bëhet me dijeni ndër të tjera se kanë qenë edhe forcat e policisë kufitare ato që kanë ndihmuar në operacionin e kërkim-shpëtimit për dy vajzat e lartpërmendura.
Mësohet se ato kanë tentuar të mbyten, por janë shpëtuar në çastet e fundit që kanë menduar të hidhen në det për t'u mbytur.
E në këtë mënyrë, ka përfunduar pozitivisht një histori e cila ishte kthyer prej orësh në një makth për familjet dhe të afërmit e dy vajzave, të cilat po i kërkonin dhe nuk i gjenin dot ato.
Policia në fakt, nuk deklaroi nëse dy vajzat kishin njohje me njëra-tjetrën, megjithëse jetojnë në një lagje në qytetin e Durrësit dhe largimi i tyre nga shtëpia është bërë në të njëjtën orë.
Rasti i parë ka ndodhur në datën 2 mars dhe kur 16 vjeçarja, E. K, është larguar nga banesa në drejtim të paditur në orët e para të mëngjesit.
Ndërsa rasti i dytë i përket të njëjtës lagje në Durrës, me ndryshimin se vajza është dy vite më e madhe sesa rasti i parë. Inicialet e saj janë S.B dhe largimi i saj është denoncuar nga babai.
n.e/NOA