English

Greku hedh shurdhmemecen në det, e shpëton shqiptari

Kallamatë, 3 Mars NOA - Akt heroik është konsideruar nga banorët e Kallamatës në Greqi, ai i një emigranti shqiptar i cili është hedhur në ujërat e ftohta të detit për të shpëtuar një grua handikapate të cilën e flaku në det një person me luhatje mendore.

Ngjarja sikundër informon korrespondenti i agjencisë NOA, ka ndodhur në Kallamatë, pasditen e djeshme.

Një djalë rreth 30 vjeç, shtetas grek, banor i Kallamatës, në rrethana ende të paqarta, sapo ka parë një grua e cila po përpiqej të lëvizte buzë trotuarit që ndodhet pranë bregdetit në afërsi të portit të Panelinios, i është afruar dhe pa një pa dy, e ka flakur në det.

Skena e rëndë u pa nga shumë qytetarë të zonës dhe kalimtarë që janë afruar të tmerruar. Njëri prej tyre, një i ri shqiptar, ka vendosur të lërë pas të tjerët, duke marrë një vendim të shpejtë: Të hidhet në det për të shpëtuar gruan shurdhmemece dhe ashtu ka bërë, pa e zgjatur shumë, me rroba siç ishte, u hodh në ujë.

Nxjerrja nga uji i akullt nuk ka qenë e lehtë pasi pamundësia e gruas shurdhmemece dhe në moshë të thyer, për të ndihmuar ishte evidente dhe për më tepër, edhe e pengonte emigranti shqiptar të mund të lëvizte lirshëm dhe të përshkonte ato metra që e ndanin nga bregu.

Duke qenë se dallgët ishin të forta, 70-vjeçarja që u flak në det, ishte larguar goxha nga bregu madje u devijua në drejtim të portit të Panelinios.

Gjithsesi, i riu shqiptar ka arritur ta nxjerrë të gjallë gruan shurdhmemece, e paralizuar pjesërisht, duke u ndihmuar në disa momente edhe nga një peshkatar që rendit pas tij në det.

Në pritje të mbërritjes së autoambulancës, shqiptari 42-vjeçar e mbështolli me një najlon të zi gruan 70-vjeçare që mezi po merrte frymë.

Ndërkohë, disa peshkatarë dhe kalimtarë, u panë të vraponin në drejtim të të riut grek që hodhi gruan në det.

Por siç duket, këmbëshpejtë më shumë ishte i dyshuari se arriti t'i shpëtojë linçimit të mundshëm nga njerëzit e irrituar.

Për ngjarjen, mësohet se kanë nisur hetimet e policisë dhe kërkime për të dyshuarin i cili sot është vënë në pranga.

Policia tha se i dyshuari shfaq probleme mendore dhe disa herë ishte shoqëruar në rajonin lokal policor për vepra të ndryshme penale, kryesisht dhunë njerëzve në ambiente publike.

Kurse emigranti shqiptar u përgëzua nga të gjithë të pranishmit për ndihmën që i dha gruas së dëmtuar duke i shpëtuar jetën dhe e dërguar atë në spitalin shtetëror të Kallamatës, ku mjekët thanë se pas pak ditësh do ta rikthejnë në banesën e saj në Mikri Mantineia të Kallamatës.

n.s/e.r/NOA

KOMENTE