Tiranë, 3 Mars NOA - Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, zhvilloi sonte një takim pune me Drejtorin e Përgjithshëm të Maqedonisë Ljupco Todorovski, ku në qendër të bisedës së zhvilluar ndërmjet Drejtuesve më të lartë të Policisë së dy vendeve dhe delegacioneve që i shoqëronin ishte forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit policor ndërmjet dy vendeve. Mësohet se po ashtu u diskutua dhe mbi probleme të bashkëpunimit me interes të përbashkët në fushën e rendit dhe sigurisë.
Duke vlerësuar arritjet pozitive të deritanishme në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet policive respektive për goditjen e krimit të organizuar dhe menaxhimin e integruar të kufijve, pjesëmarrësit në takim evidentuan nevojën e forcimit të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi, si në fushën e luftës kundër drogës, trafiqeve të paligjshme, e çdo lloj forme të kriminalitetit.
Në kuadër të këtij takimi Drejtorët e Përgjithshëm të Policisë të Shqipërisë dhe Maqedonisë evidentuan bashkëpunimin shumë të mirë policor ndërmjet dy vendeve dhe shprehën bindjen se intensifikimi i mëtejshëm i këtij bashkëpunimi do t'i shërbejë rritjes së efikasitet të strukturave policore të të dy vendeve në goditjen e krimit dhe në veçanti formave të organizuara të tij.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit tha se të pranishëm në këtë takim ishin dhe Zv/Drejtori i Përgjithshëm për Hetimin e Krimit, Agron Kuliçaj, si dhe Zv/Drejtori i Përgjithshëm për Kufirin e Migracionin, Pëllumb Nako.
e.r/NOA