Tiranë, 3 mars, NOA - Partia Socialiste ka reaguar sot për largimet nga puna në administratën publike. Deputetja Shegush Ligori, në një deklaratë për shtyp, ju referua largimeve të fundit nga puna që janë bërë në ministrinë e Drejtësisë.
"Për të disatën herë radhazi, këtë herë me propozim të Ministrit Nishani, në datën 5.2.2010, Kryeministri Sali Berisha ndryshoi përsëri strukturën organike të Ministrisë së Drejtësisë. Si pasojë e këtij urdhri, haptazi në kundërshtim me ligjin "Për statusin e nëpunësit civil", u nxorën në listën e pritjes 20 specialistë me përvojë nga 5 deri 20 vjeçare në këtë institucion, të cilët gëzonin statusin e posaçëm sipas ligjit. Rezulton se specialistët që dolën në listën e pritjes u ishin nënshtruar një sërë trajnimesh brenda dhe jashtë vendit dhe, një pjesë e tyre, kishin kryer kualifikime pasuniversitare të fushës", është shprehu Logori.
Ajo u është referuar dhe largimeve nga puna në institucione të tjera dhe e ka cilësuar këtë gjest të institucioneve të qeverisë, si flakje në rrugë e njerëzve që janë trajnuar me paratë e shtetit.
"Nxjerrja e specialistëve në fjalë në listën e pritjes i kushton taksapaguesve shqiptarë 21 milion lekë të reja në vit. Kjo gjendje paligjshmërie bëhet edhe më dramatike, teksa përditë dalin në dritë fakte të provuara se Ministri Nishani filloi, të nesërmen e largimit të tyre, rekrutimin e nëpunësve të rinj, me kontrata të përkohshme individuale", u shpreh Ligori.
m.xh/NOA