Tiranë, 3 mars, NOA - Vlerësimi i cilësisë së ajrit të mjedisit në Shqipëri do të kryhet në bazë të metodave dhe kritereve që përdoren në Bashkimin Europian. një fakt i tillë përmbahet në projektligjin e ri të miratuar nga qeveria sot në mbledhjen e saj, i cili përfshin disa ndryshime në ligjin ekzistues "Për mbrojtjen e ajrit nga ndotja". Ndër të rejat që përmban ligji i ri është edhe ajo e "marrjes së informacionit të mjaftueshëm për cilësinë e ajrit të mjedisit dhe për të siguruar disponueshmërinë e këtij informacioni për publikun, midis të tjerash, edhe me anë të pragjeve sinjalizuese".
Sikundër projekti i ri i ndryshuar i qeverisë përcakton që "për zona të veçanta, në varësi të natyrës së shkarkimeve në ajër dhe sipas nevojës, qeveria me propozimin e ministrit të Mjedisit dhe atij të Shëndetësisë, miraton vlerat kufi, pragun sinjalizues dhe vlerat e synuara të cilësisë së ajrit për ndotësit në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Ndërsa lidhur me planin e monitorimit dhe të menaxhimit të cilësisë së ajrit, parashikohet që "të hartohet një plan, në të cilin territori i Shqipërisë ndahet sipas zonave të veçanta të monitorimit të cilësisë së ajrit".
"Nëse nga monitorimi i cilësisë së ajrit brenda zonës së monitorimit, konstatohet se vlerat kufi dhe/ose vlera kufi e synuar e cilësisë së ajrit dhe ndonjë kufi tjetër tolerance i zbatueshëm nuk arrihen ose ka shumë mundësi që kjo të ndodhë, ministri e cakton këtë zonë si zonë veprimi për cilësinë e ajrit, duke marrë dhe masat përkatëse për menaxhimin e cilësisë së ajrit", parashikohet një ndryshim tjetër në ligjin ekzistues "Për mbrojtjen e ajrit nga ndotja".
n.e/NOA