English

Pa qiell kjo apoteozë politike

Në kryeherën e vet, tançka përbën kryekreun e politikës, kinse, produktin mediatik që zashëm buçet nër ne nga nadja deri në muzg, kumton një zell gati si ai i heroit epik, mbërritja e apoteozës, veshja e rrethvetes dhe brendinë me perëndinë. Zeja e sunduesit asht një profesion, të cilin e kan ushtru, të gjithë ata që bashkë me rrënimin e tyre, shkërmoqet edhe gjithseçka qi ata kanë ngrit. E thënë ndryshe, si ndër shqiptar, ashtu edhe ndër popujt e tjerë, si dhe në tribu, udhëheqësi asht një destinim i pakthyshëm përnga apoteoza. Gjithëpoaq duhet me kjartësu një gja, ndër ata që ngufasin përpjetë kreut, sikundër për ata që soditin përposhtë shtegut tuj u jargit prej nepsit të kreut, ngulmit të apoteozës. Qielli, ka gjasa të jes pa qiell kjo zapti pasionesh politike. Përkarshi kësisoj mobilizimesh, ky haber gjen pak vramëndje, nisun nga e drejta e çdo apoteoze për të patur qiellin e vet.

Duke u qas me ba një mozaik të këtij universi, që të vërtit, kurrkund tjetër veçse rreth nji individi, gjejmë kryekëput te krerët politik, këtë ngasje të mishëruar si shërbesa e vetme, që kisha e tyre kungon për besimtarët.

Gjithqysh ata orvaten me mish e me shpirt për me e ngrit kultin e tyre, e ndërsa ata përpiqen, ky sindrom Sizifi bahet ideologjia e tyne, e para dhe mramja. Koha bashkë me ndryshimet social-politike të individit që përban shoqërinë, ku ky kult kërkon të ngrihet, natyrshëm ka hedh para dhëmbëve të skërmitur të egos së tyre, tashti jo si gjithherë ndër diktatura e pushtete despotike... një manar. Sakaq kjo duhet të përftoj prej tyre përpjekje titanike, qi gjithëegjithë ky mun, të ketë vjeshtë të begatë.

Duke dasht me ik prej shpërgenjve të filozofimit dhe mistifikimit, që ndër do rreshta derdhëm shtatoret e politikës shqiptare, po kthehna me kam në tokë, e po i shikojmë gjanat në kokërr të synit, anipse me synin tem, që kurrsesi s'munet me ken këndvështrimi i syve të të gjithve.

Vërshimi ku e gjen veten, tuj shku përposhtë politika shqiptare, asht i furishëm, dhe shtegu, nëpër të cilin po don me kalu asht shtegu ma i rrezikshëm dhe përcaktusi i daljes në det, të lundrimit të kësaj anije të molisun kacafytjes nëpër kthina e shkëmbinj që koha ka beh në shtegkalimin e saj. Pa u kthy në retrospektiv, për mungesë mjetesh transporti, vendos të ndalem në stacionin e tashëm ku nodhet politika shqiptare. Siç asht ba e ditun për të gjithë, ajo që ka shqetësu politikën, s'bashku me të, çdo shqiptar, mbeten "hapja e kutive". Ky dyfjalsh i ka pru Shqipnis ma shumë sekëlldi, vramëndje e helmatisje, sa s'ka mujt me i pru ndonji luftë tjetër, gjithnjë në armëpushim. Mundem me e thanë pa droje se ky dyfjalsh ka ba dame, ma shumë se dy përmbytjet qi mësyn Shkodrën e krahinat përreth kësaj. S'kishte nevojë me u hap digat, apo me gufu batica e Adriatikut, e moti me e shpraz tan zemëratën e vet mbi shkodranët e lezhjanët, qi ne me kuptu se ku dreqin struket përmbytja e kutive. Ajo që mundem me than dhe me e dëshmua asht se politika, e tana në një thes, ka shpraz kot energji, njatypari me shndërrimin e gjithasaj në një forcë shtytëse e zhvillimit të ekonomisë dhe gjithçkaduhet për shqiptart rrethekahjanë. Media si paterica e këtij invalidi lufte, mundi me e kry masmirit misionin e vet. Thua se kurrnji hall tjetër nuk rrokte ndër shqiptar, veç hapja e kutive dhe hapja e kutive. Zemreku i këtij sahati të çartun, tuj dasht me vonu fundin e orës së tij politike, bani ç'mos me mishëru pasionin e tij latent, të hapjes së kutive, në një ideologji, në kauz, në revolucion. Kryeministri Berisha nga kahu tjetër, pa dasht me ken za i dytë i kësaj buçime të kobshme "revolucionare", e mbajti telin e tendosur të kutive të Ramës, të tendosun. E kësisoj nga ana e tij, kryesocilisti Rama nuk do ta kishte të vështirë t'i bientë pa pushim veglës së tij cingëritëse. Melodia do të ndryshonte në varësi të trysnisë ndërkombëtare dhe të afrisë së pragut në zgrip, ku shkonin 64 mandatet e socialistëve. Gjithsesi në të nëjtin mbarsej dhe gufonte furia e Ramës, pavarësisht intonacioneve. Tash kur burrat e PS hyn në Kuvend, jo aq për të pranuar luftën institucionale, të propozuar edhe prej aleatëve të tyre ndërkombëtar, se sa për të mos djegur mandatet, pak gjas ka met, se ata do të luajnë në tjetër fushë. Hapja e kutive, ka qenë, është dhe do të mbetet fyndekrye ajo që kërkon Rama, në përmbushjen e interesave të tij personale që gjithherë i gjejmë të sejdisun në një kostum hijerëndë politik.

Pa dasht me prediku, kinse, me ken i njëmendtë, shtoj se kam ken dhe vazhdoj të jem si shumë syresh, syçel e mendjekthjellët, për moshapjen e kutive. Edhe ngase vërtetë do të kishte në këtë mes një vullnet dhe solidaritet të mazhdorancës, për të ruajtur si të paprekshëm drejtësinë dhe pushtetin gjyqësor. Por sot ndërsa Rama ka lënë të kuptohet, se ai edhe po i përdor kutitë, Berisha bukur mirë do kishte mejtu dhe vepru po ta sfidonte, si kavalier që është. Gjithqysh, nëse është i bindur në fitoren e tij, duhet të sfidojë kundërshtarin e tij politik dhe duke e sfidu të kjartësojë gjithkend në të drejtën e tij, e ta nxirrte picak vullnesën prej apostulli të Ramës. Dhe jo vetëm kaq, ta vërë para provës së zjarrit temperamentin e tij prej politikani dhe nëse ai fiton, të protokolloje edhe Edi Ramën si një nga pensionimet e tij politike.

Berisha duke hapur kutitë, bën një gabim shumë të madh. Por jo më i vogël do të jetë gabimi, nëse ai vazhdon t'i mbajë ato të mbyllura, përkundër kamnguljes së palëkundur të Ramës. Kjo pavarësisht se Berisha e do mendje të kthjellëta ndër shqiptar e din ma mirë s'bahet, se ku don me dal Rama me kutitë dhe çfarë kërkon ai nga kutitë. Gjithqysh Rama, në do far mënyrash gjykimi dhe gjithëkuptimi, po mbahet pas kutive si pas një rrënje të pleksur mirë në truallin e vet. Ai s'do mend se kërkon të fitojë edhe nga humbja, sikurse disfatën e lojës së tij të madhe për të eliminuar gjithë kastën e vjetër të politikës shqiptare, kërkon ta konvertojë në një mundësi apoteoze politike.

Nuk duhet mohuar fakti se si Berisha, ashtu edhe Rama mbeten të vendosur në kauzat e tyre, mediatike ose politike, dhe këtë sfidë do ta tërheqin zvarrë si një pre, deri në zgafellen e fushatës për zgjedhjet vendore. Kryesocialisti Rama sot për shumë shqiptar është një apostull i votës së lirë, kjo pasi veladoni i revolucionarit, atij i bie përshtat. Natyrisht në një vend ku gjithherë ka qenë e zellshme dëshura për të kundruar revolucionet, e kurrsesi jo për tu përfshirë në shtjellën e saj përpirëse. Ndërsa Kryeministri Berisha, në dukje dhe në realitet është diçka më lart dhe më larg se Edi Rama. Ai nuk po bën kundërrevolucionarin, pasi është i bindur se Rama kauzën e Kutive e përdor për të kamufluar të djeshmen e të tashmën e tij, disfatiste politike. Një ndër pozicionet e tij më të favorshme, është padyshim dakordësia e njëzëshme e faktorit ndërkombëtar, dhe Berisha e çmon këtë në maksimumin e vlerës që rezonin. Pasi ambicia e tij, gjatë këtij mandati, janë liberalizimi i vizave dhe anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Pavarësisht tolerancave që vetë Berisha i ka ofruar me bujari fine politike opozitës, ajo e ka mënjanuar këtë gatesë, si të papërshtatshme për metabolizmin e prishaqejfun politik. Gjithqysh opozita, dhe kur themi opozita nënkuptojmë PS dhe kur themi PS, nënkuptojmë Ramën, mbeten të murosur brenda të vetmes alternativ, asaj të hapjes së kutive, ose siç e kanë pagëzuar së fundi, transparencës së zgjedhjeve. Njëmendësia në këtë njëmundësi, poaq zvogëlon sa dhe fashit mundësinë e Ramës për të përmbyllur apoteozën politike. Sikundër teza e shkalafitun e kutive, derimtash ka tejkalu dhe fletërrufetë. Kësisoj opozita tuj dasht me fitu nga një humbje, rrezikon me humb nga mundësia e një fitoreje, reale apo të ndërmendun.

Rama megjithëse është deklaruar për mosndryshim rezultati, mbetet pak i besueshëm se këtë manovër nuk do ta përdor si një hile e si një grackë, në të cilën do të fusë Berishën dhe mazhorancën. Jo vetëm kaq. Gjithçka që del nga kuzhina e politikës rozë, ngjan më shumë si një gatesë bagëtish se sa një yshtje elegante gastronomike. Ky naivitet politik i hedhur në treg nga Rama, si modernitet dhe civilizim i vlerave të demokracisë, nuk është gjë tjetër vetëm minim i vazhdueshëm i klimës politike dhe deformim i imazhit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Kjo ka gjasa të jetë vepra më e shëmtuar dhe më dashakeqe që ka mundur të bëjë një politikan shqiptar, për vendin e vet, përgjatë gjithë historisë plot re të Shqipërisë. Më shumë se kaq, më keq se kaq nuk mund të bënte një politikan, në kaq pak kohë, në një kohë kaq domethënëse për fatet e të ardhmes së Shqipërisë dhe shqiptarëve. Gjithçfarë ka bërë dhe po bën mediatikisht dhe virtualisht Edi Rama, nuk tejkalon synimin e tij personal dhe tekat e tij prej një egoisti pathologjik që diqysh e hovin në shtegun e një zelltari të paepur pranga apoteoza e tij politike. Bindjet kanë ushqy gjithherë pasione të mëdha, por askurrë nuk kanë mujt me u shërby idhujtarëve të vet si shkallare për me mbërrit perëndinë.

KOMENTE