English

Papandreu: Greqia, në prag falimentimi

Athinë, 3 mars, NOA Update - Kryeministri grek, Jorgos Papandreu tashmë e ka pranuar publikisht se vendi i tij ndodhet në prag të falimentimit, nëse qeveria nuk do të marrë masa akoma më të rrepta për të shkurtuar shpenzimet. Sipas tij, nëse nuk respektohet plani i shkurtimeve të qeverisë, Greqia ka mundësi që të humbasë sovranitetin e saj financiar.

Që në orët e para të mëngjesit, kabineti qeverisë përgatiti paketën e re të masave financiare, që ishte e dyta brenda pak ditësh dhe përmban shkurtime të konsiderueshme të të ardhurave në sektorin publik, rritje të taksës në karburante, në cigare, në pijet alkoolike, rritjen e TVSH-së, taksa shtesë për makinat mbi 1600 kubike dhe ngrirjen e pensioneve.

E ndodhur midis dy zjarresh, presionit të BE-së për masa më të rrepta, por edhe rrezikut të një vale të madhe protestash që do të sjellë marrja e këtyre masave, qeveria e Papandreut vendos përpara qytetareve të saj dilemën: ose falimentim dhe humbje të sovranitetit kombëtar, ose zbatim të planit të Stabilizimit dhe Zhvillimit. Masat e reja do të jenë me të vërtetë një traume në portofolin e çdo familjeje greke, ndërsa sindikatat kanë paralajmëruar se shkurtimi i rrogës së 13-të dhe 14-të do të jetë start i një konflikti të ri. Ditën e sotme protestojnë pensionistët, ndërsa taksistët janë në grevë që prej dy ditësh. Protesta kanë ndërmarrë edhe mësuesit e arsimit të mesëm. Për javën e ardhshme kanë paralajmëruar grevë dy ditore nënpunësit e sektorit ekonomik, ndërsa në datën 16, konferedata e nëpunësve të sektorit shtetëror ka shpallur greve të përgjithshme 24 oreshe në të gjithë Greqinë.

NOA

KOMENTE