English

PD: Raporti i DASH, pozitiv për qeverinë

Tiranë, 3 mars, NOA - Raporti i fundit i Departamentit amerikan të Shtetit, në konstatimet e tij pozitive për luftën kundër trafiqeve në Shqipëri, nuk bën gjë tjetër veçse vlerëson luftën e bërë nga qeveria shqiptare dhe Policia e Shtetit kundër trafikut ndërkombëtar të narkotrafikëve.

Një vlerësim i tillë është bërë sot nga selia blu, lidhur me dokumentin në fjalë, duke e cilësuar atë simjaft realist dhe mbështetës të reformave të ndërmarra nga mazhoranca.

"Në raportin e tij, DASH vlerëson masat dhe politikat agresive të marra nga qeveria, si dhe ruajtjen e brigjeve nga Policia e Shtetit duke ndërprerë ato që raporti i quan "rrugët historike të kontrabandimit të drogave përmes detit Adriatik dhe duke i spostuar ato në territorin e Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjes etj", citoi lidhur me një fakt të tillë, zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli.

Sipas saj, raporti i DASH bën qartësisht ndarjen që nga viti 2005, datë nga e cila Shqipëria qeveriset nga mazhoranca aktuale duke listuar masat e marra që nga moratoriumi për skafet, instalimin e radarëve të survejimit të detit, shtimin e kapaciteteve lundruese të Rojës Bregdetare, "çka siç shprehet raporti ka sjellë si rezultat që rruga e preferuar prej trafikantëve të jetë tashmë ajo përmes Serbisë dhe Bosnjës me destinacion Italinë".

n.e/NOA

KOMENTE