English

Reforma e inspektimit, mblidhet Task-Forca

Tiranë, 3 mars, NOA - Sistemi i inspektimit duhet të pësojë një reformë të thellë përmes kombinimit të modeleve të tij. Në një përfundim të tillë ka arritur takimi i Task Forcës për Reformën e Inspektimit, nën drejtimin e kryeministrit Berisha. Gjatë tij, u diskutua për praktika dhe procedura të harmonizuara, konsolidim sa më të gjerë tematik të Inspektorateve, si dhe për një centralizim, si domosdoshmëri për suksesin e reformës.

Më tej, modeli u diskutua dhe u aprovua nga Task Forca duke patur në bazë implementimin e praktikës më të mirë evropiane, çka do të mundësojë përmirësimin e klimës së biznesit në vend, luftën kundër informalitetit e korrupsionit, si dhe rritjen e efikasitetit të inspektimeve në të gjitha fushat.

Në fillim të këtij takimi, kryeministri Berisha theksoi se "sistemi i inspektimit duhet të pësojë një reformë të thellë dhe duhet të dalë nga modeli aktual, i faktuar si joefiçent". Pas prezantimit të draft modelit që mund të ndjekë Shqipëria, duke iu referuar të gjitha vendeve (si Sllovenia, Kroacia, Hollanda, Bosnja, Estonia, Suedia, etj.) që kanë adaptuar një ligj të unifikuar horizontal, për të mbështetur reformën e inspektimit, pavarësisht modelit që zbatojnë, u kërkuar dhe u ra dakord për hartimin e këtij ligji horizontal edhe për Shqipërinë.

Ky ligj do të mundësojë njehsimin e procedurave, rregullave bazë, si dhe konsolidimin e inspektorateve (siç e kërkojnë dhe standardet e BE-së), do të përcaktojë saktë principet dhe qëllimin e inspektimit, procedurat dhe metodologjinë, penalitetet, apelimin, të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e inspektorëve, llojet e inspektimeve e koordinimi midis tyre, si dhe kohëzgjatjen e inspektimit.

Si një çështje tejet të rëndësishme Kryeministri shtroi dhe krijimin e sistemit E-Inspection, që mundëson krijimin e një data base të inspektimeve, të përqendruar në inspektoratin qendror dhe të lidhur me link me data base të trupave të tjerë si dogana, taksa, QKL, QKR etj.

"Duhet të kemi ambicjen e plotë për instalimin e një sistemi të tillë, i cili është kusht themelor për të përmbushur detyrimet e tjera, për të qenë sa më transparentë si dhe për të luftuar fort korrupsionin", - theksoi kryeministri.

Ky sistem garanton informacion në kohe reale për tërë proceset që kanë të bëjnë me garantimin e cilësisë së shërbimeve e mallrave në treg apo para daljes në të, të mbrojë konsumatorët dhe biznesin, si dhe të pasqyrojë sjelljen e institucioneve inspektuese në sistem gjatë ushtrimit të detyrës.

Në fund të takimit, kryeministri kërkoi hartimin e një plan veprimi të saktë, që do të diskutohet në takimin e radhës së Task-Forcës për reformën e inspektimit.

n.e/NOA

KOMENTE